Programi i PD për biznesin, Rushaj në ABC: Do të miratojmë politika fiskale që nuk ndryshohen për 4 vite

schedule13:41 - 22 Shkurt, 2021

schedule 13:41 - 22 Shkurt, 2021

Partia Demokratike ka prezantuar ditën e sotme programin elektoral për biznesin. Duke folur më tepër rreth këtij programi, kreu i fushatës së PD, Alfred Rushaj, në një intervistë me Juli Xhokaxhi në ABC tha se në këto tetë vite Shqipëria ka mbetur prapa.

Rushaj, duke cituar renditjet e bëra në Doing Business, vendi ynë ka mbetur edhe më larg se vende të tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia e etj, për sa i përket klimës së biznesit.

Ai tha se kryeministri Edi Rama po mundohet të tregojë se nuk është faji i tij, por investime të huaja në vend nuk ka, dhe kjo sipas tij, nuk ndodhe se politika i largon dhe nuk i mirëpret.

“Qeveria duhet të largohet sa më shumë nga tregu, duhet thjesht të mbikqyrë. Ne do të reduktojmë në mënyrë drastike autorizimet, që kanë lidhje me ndërhyrjen e shtetit.  Një biznes duhet të shkojë tek një post publik dhe të marrë një firmë. Nuk ka asnjë arsye se pse të shkojë një biznes te administrata. Po i krijove hapësirë, biznesi sjell të ardhura në buxhet.”

I pyetur sesi mund t’i shmanget një qeveri tundimit ndaj atyre që quhen oligarkë, Rushaj tha se PD nuk është kundra atij që lufron për treg, dhe atyre që paguajnë taksa e nuk marrin favore.

“Ne jemi kundër krijimit të monopoleve, kundra që disa biznese të favorizohen, disa të varen. Në 90 për qind të garave ka vetëm një kandidat.  Ne do zgjedhim njerëzit, por besojmë shumë tek sistemi.”

Sa i përket ndryshimit të shpeshtë të sistemit të taksave, Rushaj tha se PD ka një program të detajuar dhe për një periudhë të caktuar kohe nuk do të jetë më problem mungesa e investimeve të huaja.

“Propozimi ynë është që ne do të miratojmë politika fiskale, që do të jenë në fuqi për katër vite. Nuk lëvizin. Kjo gjë do t’u japë bizneseve siguri. Do të dinë çfarë të investojnë dhe çfarë kostosh ka.” sb/abcnews.al/