Programi i OKB 30-vite në Shqipëri, Rama: Milingonë që bën punën e një elefanti

schedule18:13 - 20 Tetor, 2021

schedule 18:13 - 20 Tetor, 2021

Kryeministri Edi Rama ka numëruar disa nga kontributet e programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri. Në fjalën e tij, në ceremoninë e 30-vjetorit të këtij programi, kryeministri Edi Rama u shpreh se ai i ka dhënë një dorë të paharrueshme vendit duke qenë i pranishëm në disa momente të rëndësishme, nga reforma administrative e deri te reforma në drejtësi.

Në fund Rama shkëmbeu edhe batuta me të pranishmit, duke e krahasuar programin me një milingonë që punon ngadalë dhe sipas tij, bën punë më të mëdha se një elefant.

“Më kanë bërë një fjalim shumë të gjatë. Po mundohem të flas në mënyrë sa më të përmbledhur gjë që nuk më vjen shumë lehtë pas ambasadores suedeze e cila i dha një ton të posaçëm kësaj tribune dhe meqë ra fjala është hera e parë që shoh një tribunë në një dhomë. Shqipëria hyri Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1955 por u deshën kaq vite që të hynte në marrëdhënie domethënëse përmes programit për zhvillim. Qëllimi ishte t’i jepte oksigjen vendit në një moment ndryshimi dramatik që bashkë me lirinë kishte sjellë edhe një mal me sfida dhe vështirësi. Është e paimagjinueshme që në harkun e një jete të kemi pasur fatin të shohim dy botë kaq të ndryshme me njëri tjetrin.

Nuk kishim asnjë marrëdhënie me programim për zhvillim të kombeve të bashkuara. Jemi anëtarë jo të përhershëm të këshillit të sigurimit. Janë shumë gjërat që janë bërë në këto 30 vite nga ky bashkëpunim mes programit dhe qeverisë. Ajo që më bën përshtypje është fakti se programi ka qenë i pranishëm në momentet më kritike dhe kyçe të këtij procesi të jashtëzakonshëm të transformimit të vendit nga një diktaturë e mbyllur në një demokraci në ndërtim e sipër. Programi ka qenë i pranishëm me hapjen e shkollës së parë të administratës, në momentin e trazirave të mëdha të vitit 1997. Programi ka qenë në periudhën e kthesës historike të Tiranës.

Një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në një kurs të vërtetë kundër analfabetizmit. Programi ka një dorë të paharrueshme në historinë e vendit tonë. Ka qenë i pranishëm edhe në disa momente të rëndësishme ku na është dashur të konceptojmë reforma me impakt, nga ajo administrative deri te reforma në drejtësi. Ka qenë i pranishëm kur na është dashur të përballemi me çështjen e përmbytjeve.

Nuk kam pasur asnjë histori dashurie me PNUD. Besoj që në këtë rast nuk është pa vend që të numërohen gjërat e bëra. Përmenda vetëm pak nga shumë gjëra të bëra. Kur po kaloja në listën e punëve të bëra pata ndjesinë e punëve të një milingone. Programi është një milingonë në krahasim me elefantët e mëdhenj. Por një milingonë që arrin të bëjë të mundur një sasi pune të imagjinueshme për përmasat që ka. Nuk e di çfarë do kishte bërë po të kishte pasur mundësinë që kanë elefantët. Milingona nuk ka asnjë rrugë tjetër veçse të kompensojë atë që nuk ia ka dhënë si mundësi natyra. Në fund të ditës, është fakt që volumi i punës së kryer dhe sasitë e ngarkesave në raport me njësinë që përfaqëson milingona janë më të mëdha se ato të trupave më të mëdha”, u shpreh Rama. m.v/Abcnews.al