Prognozat e qeverisë: Frika nga rënia e madhe ekonomike

schedule09:01 - 1 Shkurt, 2019

schedule 09:01 - 1 Shkurt, 2019

Ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier ka prezantuar në Berlin raportin me prognozat për zhvillimin ekonomik gjatë këtij viti. Zhvillimi do të vazhdojë, por jo siç ishte planifikuar!

Rritja ekonomike në Gjermani do të vazhdojë edhe këtë vit – të dhjetin me radhë. Kështu thuhet në prognozat e deritanishme. Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier (CDU) nënvizoi të merkurën në Berlin se qeveria gjermane llogarit me një rritje ekonomike gjatë këtij viti prej 1 %. Në vitin 2017 është shënuar një rritje e prodhimit bruto prej 2,2 %, ndërsa vitin e kaluar rritja ka qenë 1,5%. Prognozat para disa mujave kanë qenë se rritja do të jetë rreth 1,8%, por për shkak të zhvillimeve globale, ato janë ulur.”Kjo është periudha më e gjatë e rritjes ekonomike në Gjermani, që nga viti 1966″, tha ministri, i cili nënvizoi se rritja megjithatë nuk do të jetë aq e lartë sa është parashikuar më parë. Punësimi, rrogat dhe porositë për ekonominë gjermane  – gjithandej ka sinjale pozitive, tha Altmaier. “Të gjithë parametrat tregojnë se rritja ekonomike do të vazhdojë.” Pritet që papunësia gjatë këtij viti të bjerë në nivelin rekord, prej më pak se 5%.

Rreziqet: Brexit-i dhe konflikti global tregtar

Nëse rritja ekonomike vërtet do të vazhdojë dhe në çfarë niveli, kjo varet edhe nga disa faktorë që nuk kanë lidhje vetëm me ekonominë gjermane. Rreziqet ndërlidhen në masë të madhe me Brexitin, pra daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Aktualisht askush nuk mund të parashikojë se cilat do të jenë pasojat e përgjithshme të daljes së Britanisë së Madhe nga BE dhe nëse ky vend do të futet në recesion. Ministri Altmaier ka apeluar tek qeveria britanike që të mos pranoj një dalje pa marrëvehje – pra skenarin “No-Deal”. Ndërkohë janë shtuar edhe rreziqet e tjera globale.

Një problem tjetër shumë i madh është konflikti tregtar mes SHBA dhe Kinës. Deri tani nuk ka ndonjë shkallëzim të konfliktit dhe për këtë një pjesë e meritës i takon angazhimit diplomatik të Gjermanisë, theksoi ministri.

Kriza e shkaktuar nga prodhuesit gjermanë të automjeteve me mashtrimet për nivelin e gazrave ndotë që çlirohen në ajër mund të jetë një faktor tjetër për uljen e zhvillimit ekonomik. Por Altmaier thekson se pajisjet për pastrimin e gazrave që lirohen nga motorët në ajër, të koncerneve VW, Audi, Mercedes dhe prodhues të tjerë, influencojnë vetëm 0,2% nivelin e zhvillimit ekonomik. Një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi do të ishte e mirë, por nga kjo nuk duhet pritur ndonjë ngritje e madhe e zhvillimit ekonomik të përgjithshëm, tha ai.

Librat e porosive për sipërmarrjet gjermane ende janë plot, tha Altmaier. Qeveria po përpiqet që të zgjidhë edhe problemin me mangësinë e fuqisë punëtore. Për këtë qëllim është miratuar edhe projektligji për migracionin, i cili këtë vit duhet të miratohet edhe nga Parlamenti.

Heqja e pengesave burokratike

Për të evituar rënien e zhvillimit ekonomik dhe për të dhënë impulse të reja, Altmaier kërkon shfrytëzimin e të gjitha mundësive që ofrohen në buxhet. Ai kërkon miratimin e një ligji për përshpejtimin e planeve zhvillimore, sepse kjo mund të mënjanojë pengesat burokratike për investime. Ndërkohë që duhen bërë ndryshimet strukturore edhe për kalimin nga prodhimi i qymyrit në burime të tjera të energjisë. Qeveria ka planifikuar zvogëlimet e tatimeve për sipërmarrjet që merren me studime dhe hulumtime shkencore në këtë drejtim. “Ne do të barazohemi në këtë drejtim me vendet e tjera evropiane”, thotë ministri. Qeveria planifikon uljen edhe të pengesave të tjera burokratike për zhvillimin ekonomik. Në përgjithësi ministri shpreson se masat e parashikuara do të shoqërohen me një mbështetje financiare prej 10 miliardë euro. “Ne duam që zhvillimi ekonomik të vazhdojë edhe shumë vite.”

BDI ankohet për shkak të ngarkesave tatimore dhe mungesës së investimeve

Përfaqësuesit e Shoqatës  Gjermane të Industrisë (BDI) mendojnë se ekonomia gjermane është nën presion. Drejtuesi Joachim Lang pohon se qeveria duhet të krijojë kushtet për më shumë investime dhe për uljen e tatimeve, sepse sipërmarrjet gjermane në Gjermani aktualisht janë të ngarkuara me tatime deri në 30 % ndërsa mesatarja evropiane është rreth 22%. Si shembull përmenden koncernet e mëdha si Apple, Amazon apo Ikea, të cilat nuk paguajnë gati aspak tatime.

Ministri Altmaier thotë se ulja e tatimeve nuk është në listën e prioriteteve të qeverisë së tanishme. Ai mendon se sipërmarrjet dhe koncernet gjermane dhe ato evropiane duhet të krijojnë mundësi për bashkëpunim dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Si shembull pozitiv ai përmendi koncernin Airbus, ku janë futur në përdorim edhe inteligjencës artificiale për prodhim./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!