Profili i Laporta/ “Nëse s’fitoj unë, Messi ikën”. Kush është presidenti i ri i Barcelonës

schedule08:35 - 8 Mars, 2021

schedule 08:35 - 8 Mars, 2021

Mbrëmjen e djeshme Barcelona mësoi presidentin e ri të klubit, që në fakt nuk është aq i ri sepse është një ish-president, që e udhëhoqi klubin në periudhën më të artë të tij. Mbrëmë vonë Barcelona publikoi rezultatin final të zgjedhjeve, ku u reflektua qartë diferenca e madhe Laportas me të tjerët. Ish presidenti katalanas mori 54.28% të votave (30184).

 

Ai u ndoq nga Victor Font me 29.99% (16679) dhe i treti i rendit Freixa me 8.58% (4769). Por kush është Laporta, cili është profesioni i tij dhe cilat janë arritjet e tij më të mëdha. Lindur në Barcelonë më 29 qershor 1962, baba i tre fëmijëve, Joan Laporta ka një diplomë në Drejtësi nga Universiteti i Barcelonës dhe Master në degën E Drejta të Ndërmarrjeve dhe Ekspertë të Taksave në Institutin e Estudis Superiorors Abat Oliba në Barcelonë.

Ai është themelues dhe pronar i firmës ligjore Laporta & Arbós Advocats Associats; anëtar i Il·lustre Col·legi d’Advocats de Barcelona dhe midis pozicioneve të tjera, ai është anëtar i Bordit të Besimit dhe i Komitetit Ekzekutiv të Fondacionit Lluch dhe Johan Cruyff Ëelling Foundation.

 

Laporta u zgjodh president i FC Barcelona pasi fitoi zgjedhjet e mbajtura në qershor 2003 dhe në verën e vitit 2006 ai u rizgjodh si president i klubit. Gjatë shtatë viteve të presidencës së tij, ekipi i parë arriti dy Champions League, katër LaLiga, një Copa del Rey, një Botëror Klubesh, një Superkupë Europiane, tre Superkupa Spanje dhe tre Kupa Spanje. Duhet të theksohet se të katër sektorët profesionistë të klubit (futboll, basketboll, hendboll dhe hokej) arritën të shpallnin veten edhe kampionë të Evropës nën presidencën e tij.

Sukseset në të shkuarën i dhanë gjithë këtë epërsi në zgjedhje dhe mundësinë të ketë mbështetjen e lojtarëve, mes tyre edhe Messi. Këtë e reflekton edhe një deklaratë, ku Laporta në lidhje me largimin e mundshëm të kapitenit katalanas u shpreh: “Diçka është e sigurt, nëse unë nuk fitoj zgjedhjet, Messi largohet. Nëse i fitojmë do bëjmë të pamundurën për ta mbajtur”.

 

Në sferën ekonomike dhe sociale, evolucioni i të dhënave ishte gjithashtu i rëndësishëm: buxheti vjetor shkoi nga 170 në 455.5 milion euro dhe masa shoqërore, nga 106.135 në 173.701 anëtarë të klubit. Me moton ‘Més que un club’ Joan Laporta nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi me UNICEF, Unesco dhe Acnur dhe promovoi hapjen e qendrave bamirëse XICS (Xarxa Internacional de Centers Solidaris) në të gjithë botën përmes Fondacionit Barcelona.

Me nënshkrimin historik të marrëveshjes me UNICEF, në Nju Jork, në shtator 2006, Barcelona ndërmori bashkëpunim financiar me shoqatën për mbrojtjen e fëmijëve dhe ekipi i parë do të vishte gjithashtu logon e saj në fanellë. Ky moment ishte hera e parë që Barcelona mbante një sponsor në fanellë, edhe pse nuk kishte përfitime konkrete financiare.

Pas periudhës si president i Barças, Laporta vendosi të futet në botën e politikës dhe themeloi, në korrik 2010, Democràcia Catalana, një parti katalanase, demokratike, humaniste, progresive dhe një mbrojtëse e të drejtave të njeriut individuale dhe kolektive. Joan Laporta ishte deputete në Parlamentin e Katalonjës nga nëntori 2010 deri në tetor 2012 dhe këshilltar për Këshillin e Qytetit të Barcelonës nga maj 2011 deri në maj 2015. /abcnews.al