Biznesmeni Jordan Kamçev, i akuzuar në rastin “Parcelat në Vodno” si dhe disa procese të tjera gjyqësore, eshtë arrestuar mëngjesin e sotëm pas informacioneve që Agjencia Kombëtare e Sigurisë kishte marrë se Kamçev dëshiron të arratiset nga Maqedonia.
Pas arrestimit, ai u nxorr para gjykatësit të procedurës parahetimore, ku prokuroria kërkoi 30 ditë paraburgim, si masë për të siguruar prezencën e tij në procedurën e mëtejme.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masën e paraburgimit për një ndër figurat më me peshë që ngarkohet për lidhje me ish Qeverinë e drejtuar nga VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit.
Por kush është Jordan (Orce) Kamçev?
Jordan (Orce) Kamçev është njëri prej të dyshuarve në rastin “Perandoria”, por edhe për rastin “Parcela në Vodno”, ndërsa në opinion njihet si njeriu më i afërt i ish-Drejtorit për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.
Në rastin “Parcela në Vodno” i dyshuari i parë është ish-kryeministri Nikolla Gruevski, për të cilin hetimi ka treguar se me para të partisë ka blerë pronë në vlerë prej 1,3 milionë euro.
Biznesmeni i afërt me Gruevskin, pronar i shumë kompanive gjigande në Maqedoni, është i dyshuar edhe në procesin gjyqësor “Perandoria”, ku hetohet për krim financiar, konkretisht për pastrim parash përmes kompanive në Maqedoni dhe kompanive offshore të regjistruara në vende të huaja.
Jordan Kamçev është drejtor i kompanisë “ Orka Holding”, të themeluar që nga viti 1990 nga babai i Jordan Kamçevit, Ilija Kamçev.
“Orka Holding” është aksionere e kompanive më të mëdha në Maqedoni, si spitali “Acibadem Sistina”, kompania e ndërtimit “Beton Shtip”, “Stopanska Banka”, kombinatin bujqësor “Pelagonija”, “OK Hotel”, restorantin elitar “Sushiko”, pronar i gazetës së përditshme “Nova Makedonija”, etj. /abcnews.al/