“Profesori i TikTok-ut” shkakton “rrëmujë”, mësuesi bëhet viral me kërcimet e tij: Çfarë më thonë nxënësit

schedule09:04 - 31 Janar, 2022

schedule 09:04 - 31 Janar, 2022

Lulzim Paci, një mësues biologjie nga Vushtria ka vendosur që pasionin e tij për vallëzimin ta tregojë edhe përmes videove në rrjetin social TikTok. Megjithatë, kjo ka shkaktuar reagime dhe kanë qenë të shumtë ata që i kanë cilësuar videot e tij si të pahijshme. Në mesin e tyre është dhe deputetja e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani, e cila ka kërkuar që të merren masa ndaj tij.

“Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lën të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë.“, shkruante mes të tjerash deputetja.

Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, “profesori i TikTok-ut” tha se nuk ka bërë asgjë që mund të quhet denigruese. Për gazetarët në studio, mësuesi nga Vushtria tha se përmes videove që ndan në rrjete sociale, promovon vlerat shqiptare.

“Ndoshta jam gabim por mendoj nuk është aspak degjeneruese. Është promovim dhe kultivim i vlerave tona kombëtare. Unë nuk mund të ndikoj ne mendimet e njerëzve, ka të drejtë të shprehë mendimin e vet por do të vijë koha që ata e kanë pasur gabim.”, tha mësuesi.

Ai shpjegoi më tej se nuk ka pasur ndonjë reagim kundër tij nga nxënësit dhe prindërit e tyre. ” Po flas për 99 përqind të prindërve dhe nxënësve. Nxënësit ku jap mësim janë të kënaqur me metodologjinë bashkëkohore të mësimdhënies. Kam 17 vite që jam mësim për biologji.”, tha ai.

“Jam konsultuar me të gjithë dhe me një avokat. Kam pasur oferta dhe nga televizionet në Kosovë që të jem moderator. Më kanë thënë se nuk ka asgjë të keqe. Ndoshta jam gabim, mendoj se nuk ka asgjë që ka të bëjë me ndonjë vepër penale në këtë video.“, shpjegoi mësuesi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!