Prodhimi i municioneve/ Publikohet drafti për vitalizimin e industrisë ushtarake

schedule15:37 - 21 Maj, 2024

schedule 15:37 - 21 Maj, 2024

Shqipëria do të rikthejë prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe municioneve. Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik projektligjin që synon ringritjen e industrisë ushtarake.

Synohet qe permes  një shoqërie shtetërore qe do te ngrihet, të rivihen në punë ish uzinat ushtarake, por tashmë të transformuara me standardet e NATO-s. ato  do të prodhojnë armë për nevojat ushtarake të vendit, por edhe për tregtim jashtë.

Përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara, sikurse edhe integrimi në proceset e punës edhe i teknologjive të reja dhe inovacioneve.

Sipas projektligjit, prodhimi, riparimi dhe tregtimi i ligjshëm, brenda dhe jashtë vendit, i të gjitha llojeve të armëve, si dhe prodhimi i pajisjeve teknologjike ushtarake do të bëhet në funksion të politikave kombëtare të sigurisë. Nga ana tjetër synohet forcimin i rolit të Shqipërisë në rajon dhe aleancën e veriatlantikut.

Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria, ashtu edhe si të gjitha vendet e tjera aleate, ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime, për t’iu përgjigjur ndryshimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë.

Industria ushtarake pritet të sjellë zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune.

Paralelisht kjo do të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë industrinë e mbrojtjes një motor mbështetës për përparimin.

Prioritet  do të jetë garantimi i reserves se armatimeve për kërkesat e Forcave të Armatosura.

Shoqëria shtetërore do të mbajë emrin KAYO sh.a me aksioner të vetëm shtetin. Investimi fillestar do të kapë vlerën e 300 milion lekëve, që do të përballohen nga fondi rezervë.

Gjatë vizitës së presidentit Volodymir Zelensky në shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama konfirmoi ringritjen e industrisë ushtarake për bashkëprodhimin e municioneve me qëllimin për të ndihmuar Ukrainën.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!