Procedimet penale, Bardhi: Kryetarët e bashkive ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore

schedule17:31 - 26 Qershor, 2019

schedule 17:31 - 26 Qershor, 2019

Në një konferencë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se procedimi penal ndaj kryetarëve të bashkive Mallakastër dhe Lezhë janë goditje ndaj demokracisë dhe akte provokimi ndaj opozitës.

Tentativës së dështuar për të kryer votime moniste dhe të paligjshme, Edi Rama po i shton edhe tentativën për të rikthyer në Shqipëri dënimin e kundërshtarëve politikë për agjitacion e propagandë. Kushdo që nuk mendon si ai, kushdo që refuzon farsën kriminale dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, kushdo që nuk bëhet pjesë e grushtit të shtetit që po realizon, procedohet nga Policia dhe Prokuroria e tij e kriminalizuar me urdhër politik. Procedimi penal i Kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe Kryetarit të Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj, pse ato mendojnë ndryshe nga Edi Rama dhe kanë deklaruar se do të zbatojnë Dekretin e Presidentit, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe një akt i fortë provokimi ndaj opozitës”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, kryetarët e Bashkive që drejtohen nga opozita janë duke ushtruar përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese. Sipas tij ata nuk do të tremben dhe do të vazhdojnë t’i binden vetëm ligjit.

“Por ne as nuk shantazhohemi, as nuk trembemi, as nuk tolerojmë dhe as nuk harrojmë. Kryetarët e Bashkive që drejtohen nga opozita, janë në ushtrim të përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ata do të vazhdojnë t’i binden vetëm ligjit. Asnjë presion nuk i tremb. Asnjë procedim nuk i ndal. Në 30 Qershor ligjërisht nuk ka zgjedhje. Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri është vetëm Edi Rama dhe banda e tij”, tha sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Zgjidhja e krizës sipas Bardhit do të vijë në momentin kur do të lirohen ata që mbahen sot padrejtësisht në burg. Sekretari i përgjithshëm i PD-së deklaroi se ata do të trajtohen si të burgosur politik.

“Nuk do të ketë asnjë zgjidhje të krizës pa u liruar të gjithë ato që mbahen sot padrejtësisht në burg. Ata do të trajtohen si të burgosur politik dhe do të përfitojnë të gjitha të drejtat që burojnë nga ky status. Vendin e tyre në burg do ta zënë banditët, me apo pa uniformë, që shkelin ligjin për llogari të Edi Ramës. Vendin e tyre në burg do ta zërë Edi Rama, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe e gjithë banda e hajdutëve të zgjedhjeve dhe të shqiptarëve. Nuk do të ketë asnjë zgjidhje të krizës pa u pushuar të gjitha procedimet politike për pjesëmarrje në protestë apo për zbatimin e Dekretit të Presidentit, që bëjnë veglat e Edi Ramës ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës”, tha Bardhi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!