Problemet me Ngoo dhe aventura te Tirana, Ardian Mema flet në Pressing

schedule22:50 - 23 Korrik, 2020

schedule 22:50 - 23 Korrik, 2020

Ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, është i ftuar në Pressing, në ABC News. Mema foli gjatë për bardheblutë, që u shpallën kampionë të Superiores këtë sezon.

“Jam ndjerë shumë mirë që Tirana ka dalë kampione, duke qenë se kam qenë lojtar dhe ish-trajner. Unë jam thirrur që në 2018-ën te Tirana, patëm një sezon të vështirë, rrezikonim për të rënë nga Kategoria. Ishte një Tiranë që kishte luhatjet e veta, por luante futboll. Dolëm dhe në finale të Kupës, por nuk arritëm ta fitonim. Pastaj, pas mbarimit të sezonit 2018/19, pata kohën e nevojshme për të parë organikën e futbollistëve, kush do të qëndronte, kush do të afroheshin.

Të them të drejtën, ka qenë proces i vështirë. Çmimi i Abazajt ishte i kripur, përpos lojtarëve që ke dëshirë t’i thërrasësh, duhet të shohësh financat. Tirana ka shpenzuar rreth 60-70 mijë euro më shumë se sezonin e kaluar.

Cale dhe Torassa i kam thirrur unë, Ngoo ka ardhur me vonesë për çështje financash. Unë nuk kam pasur kurrë probleme me lojtarët me ngjyrë. Ngoo që kur ka ardhur te Tirana, kemi qëndruar bashkë në një dhomë. Jam ofenduar me fjalë banale në stërvitje dhe e kam çuar 1 muaj tek ekipi B.

Pas këtij momenti, nuk kam pasur asnjë lloj problemi me Ngoo. Ka qenë i ftuar këtu dhe ka dhënë opinionin, të njëjtin pyetje i bëtë dhe Cale. Ai me të drejtë e tha se si futbollist nuk mund të gjykojë trajnerin dhe tha që nuk është specialist, dhe e mbylli këtu.

Filloi kampionati dhe kam drejtuar ekipin 9 javë. Këto 9 javë, ekipi ishte në vendet e para, kishte disa luhatje. Jam larguar në vend të tretë me tre pikë diferencë. Kam dashur dhe unë vetë të largohem, por nuk do e them pse. Kemi qenë 60/40 (%), 40-ta unë. Kjo ka qenë pjesa ime, e kam lënë ekipin në vend të tretë me tre pikë diferencë. Humbjet me Partizanin dhe Kukësin kanë qenë pengu më i madh, dhe në fund fare që u barazuam nga Vlora.

Kur bëja analizën me ekipin, më rezultonte pozitivisht në çdo statistikë. Si janë sjellur lojtarët në fushë, çfarë veprimesh kanë bërë. Rezultonte që i gjithë ekipi ka qenë pozitiv, por ne kemi pësuar gola me aksione të pakta kundër nesh. Kukësi na shënoi dy gola në 3-4 raste”, tha Mema./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!