TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’ për pastrim parash. Por hetimet nga SPAK, tashmë kanë kaluar në veprime konkrete.
Këtë të shtunë në Aeroportin e Rinasit është arrestuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe ortaku i tij Fatmir Bektashi. Për ish-kryeministrin demokrat, GJKKO ka caktuar detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë nga Shqipëria.
Më 17 nëntor 2020, ish-kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla kishte ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë.
Një dosje që ka në dorë Prokuroria e Posaçme është ajo e privatizimit të Klubit Partizani. Në këtë padi të bërë nga Balla akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte këtu, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot mund të shihni këtë grup me 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek Ish Fusha e aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.
Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ”doktorit”, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët kjo, e cila prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh.
Kush janë përfituesit e kësaj afere?
“Strumbullari” kryesor duket se është Sali Berisha, në cilësinë e kryeministrit edhe pse nuk ka firmosur më dorën e tij, ka detyruar ministra dhe drejtorë për të kaluar pronën publike në duart e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Përfituesi kryesor është Jamarbër Malltezi, i cili nga trashëgimtar i pretenduar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë, ku në këmbim të kthimit të pronës falë pushtetit të vjehrrit, do t’u merrte në këmbim sipërfaqen në fjalë. Mbi këtë pronë, Malltezi ngriti 19 kulla, me para që nuk u dihet burimi, në të cilat është pronar me 40 %.
Po ashtu, kanë marrë pjesë dhe janë implikuar ish ministra të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa dhe Arben Imami, ish ministri i Financave, Ridvan Bode, ish ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ish presidenti Bamir Topi, ish-sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Gjergji Lezha, ish-drejtori i Anti-korrupsionit në Kryeministri Oerd Bylykbashi, ish-inspektori i Anti-korrupsionit Ilir Kadiu.
Kjo çështje ka prodhuar zhurmë të madhe, akuza dhe debate nga të gjitha krahët e politikës, por tashmë SPAK duket se ka nisur “furishëm” nga puna duke ngritur akuza konkrete për individët e përfshirë në këtë aferë të dyshuar korruptive.