Pritjet nga zgjedhjet në Serbi, Vuçiç prapë mund të jetë fitues?

schedule10:30 - 31 Mars, 2022

schedule 10:30 - 31 Mars, 2022

Në Serbi me 3 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Besohet se fituesi i madh i zgjedhjeve do të jetë prapë presidenti Aleksandar Vuçiç.

Kudo që shfaqet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të pranishmit e presin me flamuj kombëtarë dhe duartrokitje të mëdha. Është e vështirë të thuhet se sa janë reale këto duartrokitje. Por fakt është që të gjitha janë të organizuara mirë. Mijëra simpatizantë të tij shkojnë në manifestime me autobusë. Mediat e pavarura serbe pretendojnë se pjesëmarrja në këto manifestime është e detyrueshme për punonjësit në administratat komunale.

“Ne duam të fitojmë më thellë se kurrë më parë dhe të tregojmë se Serbia po zgjedh të ardhmen, lirinë dhe stabilitetin”, thotë Vuçiq.

Serbia ndodhet para superzgjedhjeve të cilat do të mbahen me 3 prill 2022. Këtë ditë atje mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Fitorja e presidentit Vuçiq dhe Partisë së tij Përparimare Serbe (SNS) tashmë duket e sigurtë. Një zyrë e madhe për baste në Beograd ofron vetëm dy euro fitim për njëqind euro bast që Vuçiç të fitojë. Sondazhet sugjerojnë gjithashtu se njeriu i fortë i Serbisë mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e parë. E sigurtë duket edhe shumica absolute që është pro SNS-së. Ndërsa opozitës së përçarë i jepen shanse vetëm në kryeqytet, Beograd.

Si një komandant kampi

Vuçiqi po përsërit dy fjalë – “paqe” dhe “stabilitet” – çdo ditë në çdo intervistë televizive. Një mesazh ky që ka shoqëruar edhe fushatën e tij që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës. Vendi kandidat për anëtarësim në BE, e mbështet integritetin territorial të Ukrianës, por nuk i ka mbështetur sanksionet perëndimore kundër Moskës. Jo vetëm sepse shumica e serbëve e shohin Rusinë si një shtet vëlla kulturor dhe historik. Serbia ka dhe interesat e veta, sepse varet nga nga gazi dhe energjia ruse. Ndërsa në çështjen e Kosovës, Rusia e mbështet Serbinë dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Vuçiqit i përshtatet shumë edhe fakti që lufta në Ukrainë po dominon titujt e mediave atje. Si një komandant kampi, ai llogarit sa tonë grurë, misër apo sardele të konservuara ka rezervë në këtë vend. Ai premton se me të do të ketë paqe në fuçinë ballknaik të barutit.

“Propaganda ka për qëllim të trembë njerëzit,” thotë filozofi Vladimir Milutinoviq, i cili shkroi një libër mbi teknikat retorike të Vuçiqit. “Tabloidët shkruajnë se një kolaps ekonomik është i pashmangshëm diku tjetër, se edhe Gjermania kërcënohet nga uria. Deklarata të tilla synojnë ta paraqesin Serbinë si një oaz stabiliteti.”

Nuk ka punë pa librezë partiake

Aleksandar Vuçiq ka mbajtur të gjitha frenat në Serbi për dhjetë vjet. Partia e tij SNS kontrollon tabloidet dhe televizionet kryesore, kompanitë shtetërore dhe qeveritë lokale. Kundërshtarët politikë demonizohen rregullisht si hajdutë dhe tradhtarë në talk show. Vetë Vuçiq e përshkruan partinë e tij si një lëvizje “Catch-all” – një vend grumbullimi për të gjithë, kryesisht të lirë nga çdo ideologji. SNS ka rreth 700.000 anëtarë – që është një e dhjeta e popullsisë së vendit. Për një arsye të mirë: Pa librezë partiake, një punë në administratën shtetërore, shërbimin publik ose kompanitë shtetërore është pothuajse e pamundur. Po programi i partisë? Programi quhet Vuçiq.

“SNS përcakton edhe opinionin publik,” thotë Dejan Bursaq nga Instituti për Studime Politike. “Kjo i lejon Vuçiqit të dërgojë mesazhe kontradiktore dhe t’u bëjë thirrje votuesve nga të gjitha anët. Ai bën marrëveshje me Kosovën, por përhap retorikë të ashpër nacionaliste. Ose mburret se Serbia ishte pothuajse vendi i parë që kishte mjaftueshëm vaksinë kundër coronës.”

“Regjimi i ka të gjitha në dorë”

Opozita, nga ana tjetër, ka pak shanse për të fituar mbështetje. Temat e tyre kryesore – korrupsioni, shkatërrimi i mjedisit dhe lidhjet e supozuara midis qeverisë dhe mafies – aktualisht po marrin edhe më pak vëmendje, për shkak të luftës në Ukrainë.

Vetëm pak muaj më parë, kundërshtarët e Vuçiqit shpresonin se temat e tyre do të kenë prioritet. Në atë kohë, aktivistët e mjedisit bllokuan autostradat anembanë vendit për të protestuar kundër një miniere të planifikuar të litiumit në Serbinë perëndimore. Kompania britaniko-australiane e minierave Rio Tinto do të shkatërrojë natyrën, ndërsa vendi nuk do të përfitojë asgjë, thanë kritikët e projektit.

Ishte hera e parë që Vuçiqit iu desh të kalonte në menaxhimin e krizave. Dhe ai e kishte të qartë se kjo mund të rrezikonte fushatën e tij, ndaj ia hoqi licencat Rio Tintos.

Revista javore Vreme shkruan se një dominim i tillë politik nuk do të ishte i mundur pa bashkërendimin e shumicës së mediave dhe burimet financiare pothuajse të pakufishme të partisë në pushtet. Gazetarët investigativë zbuluan kohët e fundit se midis 2015 dhe 2021 SNS shpenzoi rreth 23 milionë euro vetëm për fushatat zgjedhore – tri herë më shumë se të gjitha partitë opozitare së bashku. Regjimi ka gjithçka nën kontroll dhe mund të luajë lojën e maces me miun me kundërshtarët e tij politikë”, komenton Vreme.

Opozita i ka bojkotuar në masë të madhe zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020 për shkak të kushteve të padrejta. Tani pritet që disa koalcione të futen në parlament. Koalicioni Të Bashkuar për Serbinë (US), i përbërë nga një spektër i gjerë partish demokratike të qendrës së majtë dhe të djathtë, mund të marrë midis 15 – 20 për qind të votave. Kandidati i tyre presidencial, Zdravko Ponosh, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mund të fitojë edhe më shumë vota. Aleanca e re e majtë-gjelbër “Moramo” mund të kalojë gjithashtu pragun prej tre për qind të votave dhe të futet në parlament.

Nacionalizmi

Skena e djathtë nacionaliste, e cila kandidon me pesë kandidatë presidencialë dhe pesë lista, po kalon një kohë shumë më të vështirë. Është e vërtetë që shumë votues janë të hapur ndaj parullave patriotike dhe nacionaliste. Mbi 80 për qind e qytetarëve të vendit refuzojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe rreth dy të tretat e shohin Rusinë si partnerin më të rëndësishëm. Megjithatë, të djathtët dhe nacionalistët nuk kanë vërtet shanse të mira për të hyrë në parlament.

Politologu Bursaq ka një shpjegim për këtë. Njerëzit kanë qenë ca kohë më pak të interesuar për tema si çështja e Kosovës, sesa për çështjet sociale dhe ekonomike. Nacionalizmi sot nuk është baza e populizmit, por thjesht një shtesë.

Borxhet e reja

“Votuesit kryesorë të Vuçiqit kanë qenë humbësit më të mëdhenj të krizës ekonomike që nga viti 2012 – pensionistët, amvisat dhe punëtorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti premton fabrika, autostrada dhe spitale të reja. Mesazhi është i qartë: ka shpresë për Serbinë dhe për të gjithë”, thotë Bursaq për DW.

Disa vëzhgues paralajmërojnë se qeveria mund t’i përgjigjet krizës aktuale vetëm duke marrë shuma të mëdha borxhesh të reja. Pas zgjedhjeve, çmimet e ushqimeve dhe energjisë kërcënuan të rriteshin edhe më shumë. Analistët janë gjithashtu të bindur se edhe presioni nga Brukseli do të jetë i madh për të marrë pjesë në sanksionet kundër Rusisë./DW