Pritjes i vjen fundi, “legjionarët” sfidojnë Çekinë për të plotësuar “ëndrrën” evropiane

schedule09:56 - 7 Shtator, 2023

schedule 09:56 - 7 Shtator, 2023

Më në fund pritjes i ka ardhur fundi dhe mbrëmjen e kësaj të enjteje, “legjionarët” e Kombëtares shqiptare do të përballen në “Fortuna Arena” të Pragës, me Republikën Çeke, në sfidën e vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, “Euro 2024”.

Pas 2 fitoresh ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe dhe një humbjeje në Varshavë, ndaj Polonisë, Kombëtarja shqiptare renditet e 2-ta në grupin E, me plot 6 pikë, vetëm 1 më pak se Çekia e vendit të parë dhe 1 më shumë se Polonia e vendit të 3-të, me këta të fundit që do të përballen mbrëmjen e sotme ndaj përfaqësues së Ishujve Faroe.

Përsa i përket lojtarëve dhe formacionit, tekniku Sylvinho pritet të zgjedhë lojtarët më në formë mbrëmjen e sotme. “Numri 1” i pankinës së “legjionarëve” pritet t’i rreshtojë të tijët me formulën 4-3-3, ku në portë padyshim do të jetë “gardiani” i italianëve të Empoli, Etrit Berisha.

Në krahun e djathtë të mbrojtjes do të jetë Elseid Hysaj, ndërsa në krahun e majtë të mbrojtjes, Mitaj ka fituar “garën” me Ivan Balliun, me këtë të fundit, që sapo është rikthyer nga dëmtimi. Në qendër nuk ka si të mungojë “eksperienca italiane”, me dyshen e Serie A, Berat Gjimshiti e Ardian Ismajli që pozicioni përballë Berishës.

“Dirigjimi” i lojës në mesfushës pritet t’i besohet sërish “yjeve” të Serie A, me Ylber Ramadanin, Nedim Bajramin e Kristjan Asllanin, që kanë për detyrë organizimin e lojës “kuqezi” dhe furnizimin me pasime të repartit ofensiv, në të cilin janë vendosur Sokol Cikalleshi në qendër dhe Jasir Asani në krahun e djathtë të sulmit.

Problem pritet të jetë krahu i majtë i vijës së fundit të sulmit, aty ku në “balotazh” janë Uzuni, Seferi, Muja dhe Muçi, me teknikun Sylvinho që pritet të japë verdiktin e tij vetëm orët e fundit para fillimit të ndeshjes, aty ku do të vendoset përfundimisht për 11-shen zyrtare të kësaj përballjeje. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!