“Zikatërit” e Inter do të nisin mbrëmjen e kësaj të mërkure “aventurën” e tyre në Champions League, teksa këtë sezon vijnë si nënkampionët e Evropës, pas një sezoni fantastik të zhvilluar edicionin e shkuar.
Të besuarit e Simone Inzaghi do të përballen me “baskët” e Real Sociedad, në “shtëpinë” e këtyre të fundit, mirëpo jo i gjithë grupi është i pranishëm, me “zikaltërit” që duhet të vuajnë mungesat e Juan Cuadrado dhe “arkitektit” të mesfushës, Hakan Calhanoglu.
Mirëpo, mungesa e turkut është një “ogur” i mirë për “legjionarin” e Kombëtares sonë, Kristjan Asllani, i cili do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme si titullar dhe këtë gjë e konfirmoi vetë tekniku italian, i cili gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar pasditen e së martës u shpreh se i gjithë klubi beson shumë te potenciali i tij.
“Ajo e Calhanoglu është një mungesë e rëndësishme, ashtu si të tjera, për shembull e Cuadrados. Unë kam shumë lojtarë në dispozicion, në atë rol kemi Asllanin i cili është një lojtar i rëndësishëm, i shumëkërkuar por të cilin vendosëm ta mbanim me vete. Besojmë shumë te ai.
A është gati? Absolutisht po. Është një lojtar i rëndësishëm, që ka luajtur ndeshje të rëndësishme. Ai është gati, pastaj nesër do të marr vendimin bashkë me stafin tim”,- u shpreh tekniku italian, i cili më në fund duket se ka vendosur t’i japë shansin e “artë” djaloshit nga Elbasani. /i.m /abcnews.al