Pritje madhështore për çiftin Trump në Britani

schedule12:20 - 3 Qershor, 2019

schedule 12:20 - 3 Qershor, 2019

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti Donald Trump dhe bashkëshortja janë pritur nga mbretëresha Elizabeth. Krahas pritjes madhështore, mbretëresha e ka njohur presidentin amerikan me librin e parë të Uinston Çërçill për Luftën e Dytë Botërore, në përpjekje për të riafirmuar aleancën e ngushtë mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja Melania janë takuar me mbretëreshën Elizabeth në ditën e parë të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar. Çifti presidencial u prit në pallatin Bakingem me një ceremoni dhe një drekë private, ndërsa më pas vendosi një kurorë me lule në varrin e ushtarit të panjohur në Uestminster Abej.

Vizita e presidentit përkon me përkujtimin e 75-vjetorit të zbarkimit të aleatëve, event të cilin mbretëresha, zoti Trump dhe kryetarë të tjerë shtetesh do ta ndjekin ditën e mërkurë në Portsmuth. Gjatë takimit, monarkja e njohu Trump me edicionin e parë të librit të Uinston Çërçill “Lufta e Dytë Botërore”, i vitit 1959, me një seri dekoracionesh dhe copëza të flamurit amerikan të qepura me dorë. Shefit të Shtëpisë së Bardhë iu dha gjithashtu një stilolaps Dufold, i dekoruar me emblemën e monarkisë.

Më pas zoti dhe zonja Trump u dërguan për një tur në godinën e Uestminster Abej, ku vendosën një buqetë me lule në varrin e ushtarit të panjohur, ndërsa më pas ndaluan në Klarens Hauz, ku  u pritën nga princi Çarls dhe dukesha e Kornuellit për një çaj. Pak minuta përpara mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, Trump shprehu përmes Twitterit dëshirën për të qenë aleat i rëndësishëm i Britanisë së Madhe, por pak më vonë, sërish përmes rrjetit social kritikoi kryebashkiakun e Londrës, me të cilin është përplasur në të kaluarën.

Ai u shpreh se Sadik Khan, që më herët kishte deklaruar se Britania nuk duhet të shtrojë tapetin e kuq për Trump, ishte vetëm një dështak. Ndërkohë, bisedimet mes Trump dhe kryeministres Theresa Mej do të nisin ditën e martë, me dy liderët që pritet të diskutojnë ndryshimet e klimës dhe teknologjinë, me theks të veçantë tek firma kineze “Huawei”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!