Ekstradimi i Tomorr Morinës, çështja në Gjykatën Penale të Shkupit

schedule08:00 - 6 Gusht, 2019

schedule 08:00 - 6 Gusht, 2019

Rasti i ish-luftëtarit të UÇK-së Tomorr Morina, që aktualisht mbahet i arrestuar në Maqedoni, ka përfunduar në Gjykatën Penale të Shkupit, e cila do të japë mendimin e saj mbi ekstradimin. Ndërkohë, Morina është vizituar në qeli nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar mendimin e Gjykatës Penale nëse ish-pjesëtari i UCK-së Tomorr Morina duhet të ekstradohet në Serbi. Ministria i ka dorëzuar dokumentet te Gjykata Penale lidhur me ekstradimin e ish pjesëtarit të UÇK-së Tomor Morinës. Ambasadori i Kosovës në Shkup Gjergj Dedaj ka realizuar një takim me Tomor Morinën.

Në një postim në FACEBOOK, Dedaj ka theksuar se ai është në gjendje të mirë dhe se ndjehet i pafajshëm. Dedaj ka falënderuar institucionet e Shkupit për mënyrën e trajtimit të Morinës nga ana e institucioneve duke shtuar se drejtësia është në anën e Morinës dhe pret që ai së shpejti t’i kthehet familjes në Kosovë. Përpos Ambasadorit Dedaj, Morinën paraprakisht e kishin vizituar edhe dy diplomatë tjerë të punësuar në Ambasadën e Kosovës.

Por, Zv/Kryeministri Bujar Osmani dhe Zv/Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut Agim Nuhiu nuk morën leje për ta vizituar atë në burgun e Shkupit. Për Morinën tashmë ka nisur java e dytë që kur u vendos prapa grilave, pas vendimit të gjykatës që i caktoi 30 ditë paraburgim.

Epilogu rreth ekstradimit të tij shkaktoi një valë reagimesh në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë. Zv/Kryeministri Bujar Osmani në një deklaratë për mediat kishte theksuar se ekstradimi i Morinës në Serbi do ta cenonte stabilitetin e rajonit. Ish-Pjesëtari I UCK-së Tomor Morina dyshohet për atë që Beogradi e quan krime kundër civilëve serbë në Kosovë në vitin 1999./ABC News Albania 24/7