Pritet mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD rreth ndryshimeve statutore

schedule14:50 - 20 Prill, 2018

schedule 14:50 - 20 Prill, 2018

Në orën 18:00 pritet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në selinë blu, rreth ndryshimeve statutore të diskutuara vetëm një javë më parë në takimin e kryesisë së kësaj force politike. Propozimet e diskutuara në mbledhjen maratonë të kryesisë së 14 Prillit, të përmbledhura në një dokument politik janë përkthyer në ndryshime statutore, të cilat në fund të mbledhjes së Këshillit pritet të prodhojnë draft-statutin përfundimtar që do të votohet në 28-29 Prill në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Risitë e përfshira në draftin, i cili mund të amendohet nga antarët e Këshillit sot, por edhe nga ata të Kuvendit në fund të muajit, përfshin zgjerimin e kompetencave të Këshillit Kombëtar. Sipas këtij drafti, Këshilli bën propozimin e kandidaturave alternative nga ato të kryesisë dhe Kryetarit, miraton marrëveshjet politike para dhe pas zgjedhore por ndryshe nga sa u diskutua një javë më parë, nuk parashikon shkëputjen si një organ i pavarur me një kryetar të sajin. Këshilli me gjysmën e votave të antarësisë mund të propozojë shkarkimin e kryetarit, gjë e cila për tu konkluduar do të kërkojë edhe miratimin e Kuvendit Kombëtar.

Kërkesa e anëtarëve të cilësuar kritikë ndaj kryetarit Basha, që mandati i këtij të fundit të mund të ndërpritet bazuar në modalitete të përcaktuara në statut, në rastin e disfatës elektorale parlamentare nuk është përfshirë në draftin e përpiluar derimëtani.
Ndërkohë parimi “një anëtar një votë” sipas këtij dokumenti do të zbatohet për konsultimin e antarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Një koncept i ri i përfshirë është ai i “garantimit të karrierës” vlerësimi i së cilës bazohet në kritere si kohëzgjatja e antarësisë, kontributi në fushata, aktivizimi dhe standartet e pastërtisë së figurës.

Komisioni i Apelimit është nëj tjetër organ që pritet ti shtohet strukturës së partisë që propozohet të jetë me 5 anëtarë të përzgjedhur nga Këshilli Kombëtar, ku mund të shqyrtohen ankesat e anëtarësisë së partisë lidhur me vendime të marra ndaj tyre, ankesa për zbatimin e statutit dhe rregullave të funksionimit të partisë si dhe interpretimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!