Analistët Ehat Miftaraj dhe Ilir Ibrahimi komentuan për “ABC News” dështimin e marrëveshjes midis Vetëvendosjes dhe LDK-së dhe seancën konstituive të parlamentit të ri që pritet të zhvillohet sot. Ata komentuan mundësitë që Kosova të shkojë përsëri në zgjedhje dhe që Vetëvendosje dhe LDK të vazhdojnë bisedimet edhe pas këtij ngërçi.
Ndërkohë që pritet të betohen deputetët e rinj të parlamentit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, analistët shpjegojnë se çfarë do të ndodhë tani që partitë politike po shkojnë në këtë seancë pa marrëveshje për qeverine e re.
Ehat Miftaraj ekspert nga Instituti Demokratik i Kosovës shpjegon hapat kushtetues që ndërmerren në këtë rast.
“Nuk mund të shkohet në zgjedhje vetëm se dëshiron një parti politike, duhet një konsensus”, shprehet ai.
Por pyetja mbetet, a shkon Kosova përsëri në zgjedhje apo vazhdojnë bisedimet midis Vetëvendosjes dhe LDK-së për qeverinë e re, dhe më e rëndësishmja, a po hyn Kosova në një krizë të gjatë që do ta dëmtonte atë. Analisti Ilir Ibrahimi i përgjigjet kësaj pyetjeje.
“Kosova pothuajse çdo herë pas zgjedhje futet në kriza politike. Nuk do të jetë një krizë e gjatë politike, por pritet të ketë zvarritje”, tha Ibrahimi./abcnews.al