Prishtinë-Beograd, Thaçi dhe Vuçiç takohen të dielën në Bruksel

schedule21:25 - 19 Qershor, 2018

schedule 21:25 - 19 Qershor, 2018

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen të dielën në Bruksel në vijim të dialogut të nivelit të larte mes dy vendeve. Hashim Thaçi në një deklaratë për mediat, konfirmoi këtë takim që do të ndërmjetësohet si edhe më herët nga përfaqësuesja e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të takohen të dielën më 24 Qershor në Bruksel, në vijim të dialogut mes dy vendeve.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “ata do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, do të diskutojnë për marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme dhe të diskutojnë hapat e ardhshëm duke pasur parasysh një periudhë intensive bisedimesh që priten në të ardhmen”.

Takimi i së dielës u konfirmua edhe nga presidenti i Kosovës gjatë një deklarate për media.

“Ekipet tona do të takohen në javët e ardhshme, ndërsa takimi në nivel të presidentëve do të ndodhë të dielën. Gjatë orëve dhe ditëve të ardhshme do të kemi kontakte të vazhdueshme me gjithë miqtë dhe partnerët tanë në mënyrë që të kemi një koordinim sa më të mirë dhe gjithashtu dhe me spektrin politik kosovar”.

Takimi i së dielës shihet si një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!