Prishtinë, ambasadori i SHBA kritikon listat e kandidatëve

schedule22:20 - 13 Shtator, 2019

schedule 22:20 - 13 Shtator, 2019

Ambasadori Amerikan në Prishtinë ka kritikuar përfshirjen e personave me të shkuar kriminale në listat e kandidatëve për deputetë, të hartuara nga partitë politike për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet kritikoi të premten partitë politike për përfshirjen e personave që kanë probleme me ligjin në listat e kandidatëve për deputetë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kosnet deklaroi se është absurde të pretendohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit kur në lista ndodhen persona të tillë.

“Si mund ta marrin seriozisht qytetarët përkushtimin e shprehur nga partitë politike për sundimin e ligjit, kur në listat e shumë prej tyre ka individë me aktakuza në fuqi, me dënime për krime lufte, për korrupsion dhe me sanksione ndërkombëtare?”, u shpreh Kosnett. Shqetësimi i ngritur nga ambasadori përkon me atë të organizatave të shoqërisë civile.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, të paktën 26 kandidatë për deputetë kanë aktakuza ose janë të dënuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht për korrupsion. 25 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Në listat e tyre ndodhen mbi 1 mijë kandidatë që do të garojnë për t’u bërë pjesë e Parlamentit me 120 vende. Nga ana e tyre, partitë janë zotuar se kanë përzgjedhur kandidatë që do të qeverisin me duar të pastra. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!