Prishtina ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së Kupës së Kosovës, pasi në sfidën e parë gjysmëfinale në shtëpi kundër Drenicës, fitoi pastër me rezultatin 3-0. Dy gola u shënuan nga sulmuesi 31-vjeçar, Ahmed Januzi, ndërsa rrjeta e tretë u realizua nga Korenica.
Para fillimit të takimit, Prishtina konsiderohej favorite dhe djemtë e Armend Dallkut, nuk zhgënjyen, duke e fituar takimin me rezultatin e pastër 3-0. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 28-të, me Januzin që gjeti rrjetën.
31 vjeçari do të shënonte sërish në pjesën e parë, pasi në minutën e 43-të, realizoi golin e dytë personal. Edhe gjatë pjesës së dytë, Prishtina pati mundësitë të shënojë, por vetëm në sekondat e fundit, Korenica arriti të realizojë golin e tretë dhe final të takimit.
Drenica ishte e pafuqishme për të shënuar në kryeqytet, por miqtë mund të shpresojnë te ndonjë mrekulli në fushën e tyre, në ndeshjen e kthimit. Prishtina i gëzohet suksesit dhe ekipi kryeqytetas, e ka hedhur një këmbë për në finalen e Kupës së Kosovës./abcnews.al
Kupa e Kosovës, gjysmëfinale
Prishtina – Drenica 3-0
Januzi 28’ 43’ Korenica 90′

