Prindërit ribashkohen pas 14 vitesh me djalin e humbur, historia u kthye në film

schedule12:43 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 12:43 - 9 Dhjetor, 2021

Një çift në Kinën jugore është ribashkuar me djalin e tyre adoleshent, duke i dhënë fund kërkimit të tyre 14-vjeçar, i cili frymëzoi një film të suksesshëm. Sun Zhuo, 18 vjeç, u rrëmbye në qytetin Shenzhen në vitin 2007 në moshën 4-vjeçare, por prindërit e tij nuk  e humbën kurrë shpresën se do ta shihnin përsëri, shkruan CNN

Babai i tij, Sun Haiyang dhe nëna, Peng Siying, shitën prona për të financuar kërkimin e tyre dhe ofruan një shpërblim deri në 31,000 dollarë për këdo që jepte informacion mbi vendndodhjen e tij. Gjatë viteve, Sun Haiyang tha se kishte udhëtuar në pothuajse çdo rajon të Kinës për të kërkuar djalin e tij.

Ekspertët thanë se problemi u përkeqësua edhe më shumë nga politika e Kinës për një fëmijë. Për dekada të tëra, familjet që kishin një fëmijë të dytë  gjobiteshin, ose detyroheshin të abortonin. Tradicionalisht, familjet veçanërisht ato në zonat rurale  i shihnin djemtë si më të aftë për të siguruar familjen dhe për të vazhduar trashëgiminë familjare  duke nxitur një treg të zi për djemtë e mitur dhe duke shtyrë shumë familje të jepnin vajza të mitura për birësim, raporton abcnews.al

Autoritetet gjurmuan Sun në provincën lindore të Shandong pasi policia përdori teknologjinë e njohjes së fytyrës për t’i ndihmuar ata të identifikonin një të dyshuar, me emrin Wu, të cilin ata e akuzojnë për rrëmbimin e djalit.

Identiteti i Sun u konfirmua nga analiza e ADN-së, sipas mediave shtetërore. Wu është arrestuar në lidhje me rrëmbimet e dy fëmijëve, përfshirë atë të Sun, tha policia.  Babai dhe nëna birësuese e Sun u liruan me kusht në pritje të gjyqit. Në një pikë  kthesë të historisë, Sun tha për mediat shtetërore se do të qëndronte me prindërit e tij birësues, sepse ata e kishin rritur për më shumë se 10 vite.

Sipas ligjit kinez, dënimi maksimal për trafikimin e qenieve njerëzore është vdekja, ndërsa blerësit  mund të dënohen deri në 3 vite. Nuk është e qartë se sa fëmijë zhduken në Kinë çdo vit, megjithëse vlerësimet besojnë se janë  mijëra.

Sipas autoriteteve kineze, më shumë se 8,000 fëmijë të rrëmbyer janë ribashkuar me prindërit e tyre në vitin 2021.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!