Prindërit e reporterit amerikan Evan Gershkovich thanë të mërkurën se duan që liderët botërorë të mblidhen në Kombet e Bashkuara javën e ardhshme për t’i bërë më shumë presion Rusisë për të liruar gazetarin nga burgu.
Gershkovich u arrestua në mars gjatë një udhëtimi raportues në Urale dhe u akuzua për spiunazh, akuza që ai, qeveria e SHBA dhe punëdhënësi i tij, Wall Street Journal, i mohojnë. Paraburgimi i tij u zgjat me 3 muaj në gusht.
“Ne e duam atë në shtëpi,” tha babai i tij Mikhail Gershkovich gazetarëve në OKB, e cila do të presë Asamblenë e Përgjithshme vjetore brenda disa ditësh.
“Javën e ardhshme, liderët botërorë do të mblidhen këtu për të diskutuar shumë çështje të rëndësishme. Ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve botërorë të qëndrojnë me Evan dhe atë që ai përfaqëson, të drejtën themelore për shtyp të lirë dhe lirinë e shprehjes,” tha Mikhail Gershkovich, i shoqëruar nga gruaja dhe vajza e tij.
“Këto të drejta janë parime bazë të Kombeve të Bashkuara,” shtoi ai.
Kompania mëmë e Wall Street Journal të martën kërkoi që një panel ekspertësh të OKB-së të deklaronte Gershkoviçin si “të arrestuar në mënyrë arbitrare”.
Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, kërkoi lirimin e reporterit dhe të Paul Whelan, një tjetër amerikan i mbajtur në Rusi me akuzën për spiunazh.
“Mbani mend fjalët e mia: Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë derisa Evan dhe Paul, dhe të gjithë amerikanët të arrestuar gabimisht, të jenë në shtëpi dhe të sigurt,” tha ajo.
“Dhe ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara, të qëndrojnë me ne. Të qëndrojnë në anën e drejtësisë. Dhe të dënojnë shkeljet flagrante të ligjit ndërkombëtar nga Rusia,” tha ambasadori.