Princesha e Uellsit, Catherine, ka anuluar pjesëmarrjen e saj të planifikuar në Royal Ascot, ndërsa vijon të rikthehet gradualisht në jetën publike pas trajtimit nga kanceri. Pallati Kensington konfirmoi mungesën e saj në ngjarjen prestigjioze, e cila zhvillohet gjatë pesë ditëve në hipodromin e Berkshire dhe është një nga kulmet e kalendarit shoqëror britanik.
Sipas burimeve mbretërore, Catherine po përpiqet të gjejë një ekuilibër të qëndrueshëm gjatë rikthimit të saj në angazhimet zyrtare. Ajo shprehu keqardhje për mospraninë në procesionin tradicional me karroca, ku pritej të shfaqej së bashku me bashkëshortin, Princin William, Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla.
Pavarësisht mungesës së saj, familja mbretërore mori pjesë në procesionin e hapjes, me Mbretin, Mbretëreshën dhe Princin e Uellsit të shoqëruar nga Princi Saud bin Khalid Al Saud. Princ William do të ndajë çmimet e garës në ditën e dytë të takimit.
Catherine është parë kohët e fundit në disa angazhime publike, përfshirë shërbimin e Urdhrit të Garter dhe paradën Trooping the Colour. Ajo ka bërë të ditur më parë se është në remision dhe synon të përqendrohet në ruajtjen e shëndetit të saj.
Royal Ascot këtë vit përkon me 200-vjetorin e procesionit mbretëror, një traditë e nisur në vitin 1825. Mbretëresha Elizabeth II kishte një lidhje të veçantë me garat e kuajve, ndërsa Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla e kanë vijuar këtë pasion, duke arritur edhe fitoren e tyre të parë në vitin 2023 me kalin Desert Hero. Këtë vit, ata shpresojnë për sukses me kalin Rainbows Edge./tvklan.al

