Princesha e Uellsit, Kate Middleton diagnostikohet me kancer

schedule19:04 - 22 Mars, 2024

schedule 19:04 - 22 Mars, 2024

Princesha e Uellsit, Kate Middleton ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer dhe se është në fazat e hershme të trajtimit. Lajmi vjen dy muaj pasi princesha e Uellsit u largua përkohësisht nga jeta publike pasi iu nënshtrua një operacioni për një gjendje abdominale jo-kancerogjene në muajin Janar.

Nëpërmjet një videoje, Middleton shpjegoi se ka kaluar dy muaj të vështirë dhe se nuk e dinte që ishte prekur nga kanceri kur iu nënshtrua operacionit në Janar. Pallati mbretëror britanik nuk zbuloi më shumë detaje për llojin e kancerit, por tha se kishte besim që princesha do të shërohej plotësisht.

“Në janar, iu nënshtrova një operacioni të madh abdominal në Londër dhe në atë kohë, mendohej se gjendja ime nuk ishte kanceroze. Kirurgjia ishte e suksesshme. Megjithatë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t’i nënshtrohej një kursi kimioterapie parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të atij trajtimi.  Kjo sigurisht që ishte një tronditje e madhe dhe unë dhe William kemi bërë gjithçka që mundemi për ta menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re. Jam mirë dhe bëhem më e fortë çdo ditë duke u fokusuar në gjërat që do të më ndihmojnë të shërohem; në mendjen, trupin dhe shpirtin tim. Na është dashur kohë për t’i shpjeguar gjithçka George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë.”, tha ajo duke kërkuar hapësirë dhe privatësi në këtë moment të vështirë./abcnews.al