Princesha e Suedisë, viktimë e ngacmimeve seksuale

schedule13:55 - 30 Prill, 2018

schedule 13:55 - 30 Prill, 2018

Princesha Viktoria trashëgimtare e fronit mbretëror të Suedisë është një nga viktimat e ngacmimeve seksuale të kryera nga fotografi francez, Zhan Klod Arnol, bashkëshortja e të cilit është anëtare e bordit që cakton çmimin Nobel për letërsinë.

Zgjerohet dhe më shumë skandali i ngacmimeve seksuale në akademinë që jep çmimin Nobel për letërsinë. Intelektuali francez Zhan Klod Arnol, bashkëshort i poetes Katarina Frostenson, anëtare e institutit, ka ngacmuar seksualisht në vitin 2006, princeshën Viktoria, trashëgimtare e fronit të Suedisë.  Sipas asaj që raportojnë tre të përditshmet vendase, princesha është ndihmuar nga asistentet e saj

Skandali vë në rrezik dhënien e çmimit për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Familja mbretërore suedeze nuk komentoi akuzat por publikoi një deklaratë mbështetëse për lëvizjen kundër abuzimeve.

Arnol akuzohet nga 18 gra për agresion dhe dhunë seksuale në periudhën 1996 – 2017. Por ai i ka mohuar këto akuza. Skandali provokoi një seri dorëheqjesh brenda akademisë. Tre anëtarë u dorëhoqën menjëherë pas votës së organizatës kundër pezullimit nga posti të bashkëshortes së fotografit. Por ajo më pas u detyrua të largohej së bashku me Presidenten e Akademisë, Sara Danius.

Teknikisht dorëheqjet nuk kanë vlerë pasi këto poste janë të përjetshme, por gjashtë anëtarët që lanë postin e tyre mund të refuzojnë të marin pjesë në aktivitetet e akademisë. Për këtë arsye nuk është ende e qartë se çfarë do të ndodhë në edicionin e këtij viti për çmimin Nobel për letërsi. Ka shumë mundësi që të anulohet ose të shtyhet. Por vendimi do të merret në 3 Maj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!