Princesha Martha Louise e Norvegjisë ka qenë në qendër të vëmendjes vitet e fundit dhe është bërë temë diskutimi jo për punën e saj sociale apo përfundimin me sukses të detyrave të saj mbretërore, por për jetën e saj personale.
Në vitin 2016, Gjykata Mbretërore njoftoi se Princesha Martha Louisa dhe burri i saj Ari Ben, për të cilin ajo kishte hequr dorë nga të ardhurat e saj vjetore prej miliona dollarësh për t’u martuar me të, ishin ndarë dhe kishin filluar procedurat e divorcit, duke mbajtur kujdestarinë e përbashkët të tre fëmijëve të tyre. Ky divorc ishte i pari në historinë moderne të familjes mbretërore norvegjeze.
51-vjeçarja Martha Louisa natyrshëm donte të rindërtonte jetën e saj, por është zgjedhja e partnerit që e ka çuar në aventurat e saj aktuale.
Partneri i ri i Martha Louise është Durek Veret, një nga “gurutë” më të njohur të yjeve të Hollivudit. Princesha dhe Shaman Darek, siç njihet nga ndjekësit e tij, shpallën fejesën e tyre në qershor, me bekimin e mbretit Harald.
Por romanca nuk është pritur me entuziazëm në Norvegji pasi shumë nga pikëpamjet e shprehura nga “shamani i gjeneratës së gjashtë” janë mjaft të diskutueshme, si për shembull në librin e tij me titull “Spirit Hacking” ku thuhet se kanceri vjen si një zgjedhje për të sëmurët.
Vetë Martha Louisa është deklaruar besimtare e terapive alternative të propozuara nga Durek dhe se ka dhuntinë e të folurit me engjëjt. Ajo kishte marrë pjesë edhe në disa nga fushatat e tij duke përdorur titullin princeshë, që u vlerësua si një gabim fatal.
Një sondazh muajin e kaluar zbuloi se 17% e norvegjezëve tani kanë një opinion më të keq për familjen mbretërore se në të kaluarën, me pothuajse të gjithë duke përmendur princeshën dhe shamanin si arsyen e konvertimit të tyre.
Më shumë se gjysma e norvegjezëve duan që Martha Louise t’i hiqet titulli i princeshës. Disa organizata bamirëse të lidhura me shëndetin që princesha mbështeti dhe përfaqësonte, kanë ndërprerë lidhjet me të për shkak të pikëpamjeve pro mjekësisë alternative të të fejuarit të saj.
Martha Louisa humbi titullin “Lartësia e saj mbretërore” në 2002 kur u martua me Ari Ben dhe i është ndaluar të përdorë titullin e princeshës për qëllime komerciale që nga viti 2019./abcnews.al