Princ Leka, përmes një reagimi zyrtar, ka njoftuar ndarjen nga Elia Zaharia, ndërsa bën me dije se kanë nisur dhe procedurat e nevojshme ligjore.
Postimi:
Përshëndetje miq dhe dashamirës, Me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës së tyre t’i jepet fund.
Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kane parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë!!! Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinën. LTM Princ Leka Il nuk do të bëjë deklarata apo komente të mëtejshme dhe kërkon që të respektohet e drejta për privatësi lidhur me këtë çështje.
Pas Princ Lekës, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, Elia Zaharia ka folur për ndarjen me Princ Lekën duke konfirmuar se kanë nisur procedurat për divorc.
“Më duhet t’ju komunikoj që sot filluam procedurat ligjore për zgjidhjen e martesës, pasi vendosëm bashkarisht të kërkojmë zyrtarizimin e divorcit! Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Kurrsesi nuk do kisha zgjedhur për vajzën time të rritej me prindër të ndarë, por ndonjëherë ndarja qenka e vetmja rrugëzgjidhje! Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur! Ju falënderoj shumë të gjithëve ju që më keni shkruar e më keni dhënë kurajë! Pavarësisht këtyre muajve të vështirë që kam kaluar, dashamirësia juaj më ka dhënë forcë! Ju uroj shëndet e lumturi në familjet tuaja!”, shkruan Zaharia.
/abcnews.al/