Prifti në Shkodër: Mund t’i shpëtoni policisë, por jo Zotit

schedule13:12 - 5 Shtator, 2018

schedule 13:12 - 5 Shtator, 2018

Në shtëpinë e misionareve të Nënë Tereza, paraditen e sotme u mbajt mesha me rastin e 2 vjetorit të shenjtërimit të Nene Terezës. Nga këtu kleriku i Shkodrës, ish-famulltari i këtij qyteti, dom Artur Jaku përcolli  një mesazh, për ata që vrasin.

Kur Shkodra është e blinduar nga RENEA dhe forcat Speciale për shkak të vrasjeve të bujshme, në shtëpinë e misionareve u mbajt mesha me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës. Ish-famulltari i këtij qyteti, dom Artur Jaku, kësaj here iu drejtua atyre që vrasin.

“Sot kam apel për ata njerëz që vrasin. Për hatër të Zotit mos me vrasje, mos dhunë. Mos të harrojmë që ne mundemi t’i shpëtojmë policisë, mundemi me i shpëtu shtetit dhe gjykatave, por s’mundemi t’i shpëtojmë Zotit. Nëse ne vrasim shokut nuk mund t’i fshihemi. Zotit nuk mund t’i ikim. Gjykimit të tij nuk kemi nga shkojmë sepse Ai sheh dhe vlerëson gjithçka. Prandaj ju bëj thirrje tërë atyrë që janë përfshirë  në skema të ndryshme, kthehuni nga Zoti sa mos të jetë vonë”, tha dom Artur Jaku.

Jaku iu referua misionares së shenjtë shqiptare, Nënë Terezës dhe jetën që ajo zgjodhi të bëjë, në  shërbim të varfërve. Gjithashtu ai tha se vendi është  në varfëri se ne nuk jemi të aftë për të reaguar.

“Sot edhe në vendin tonë, edhe në Shkodrën ku jetojmë jeta gati-gati nuk vlen as dy lekë. Për hatër të Zotit mjaft me vrasje”, tha ai.

Kremtimi  i meshës së shenjtë u bë në praninë e misionareve të Nënë Terezës që  prej 25 vitesh shërbejnë në Shkoder, si dhe të të sëmurëve që ato mbajnë  në qendrën  e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!