Prezantohet nisma “Dritarja e mundësive”, rektori i Universitetit “Bedër”: T’i dalim për zot së ardhmes

schedule12:15 - 30 Janar, 2021

schedule 12:15 - 30 Janar, 2021

Po mbahet sot aktiviteti i hapjes së nismës “Dritarja e mundësive”, një platformë dixhitale e krijuar për t’ju ardhur në ndihmë të rinjve, të cilët janë në kërkim të një mundësie praktike, zhvillimi profesional apo punësimi. Aktiviteti u zhvillua online, ku mes pjesëmarrësve ishin dhe personazhe të njohur si Fatma Methasani dhe Eraldo Rexho të cilët folën për rëndësinë e punësimit të të rinjve.

Nisma është ndërmarrë nga studentët e programeve master të Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër. Rektori i Universitetit, Prof.Dr. Ferdinand Gjana gjatë fjalës së tij u shpreh optimist dhe i bindur se projekti do të marrë dimensione të mëdha.

Është shumë e rëndësishme për të krijuar një sinergji pozitive për shoqërinë, ne vuajmë nga ikja e “trurit”, pjesës më cilësore të shoqërisë nga ky vend dhe e vetmja mënyrë që mund ta parandalojmë është që të gjithë së bashku të punojmë për brezat e rinj, për t’u integruar në tregun profesional dhe për të punuar në këtë vend. Ka një dimension sa personal dhe profesional dhe më të gjerë shoqëror.

Për këtë arsye, ky projekt shikon dhe në të ardhmen, është t’i dalësh për zot të ardhmes tonë, brezave që po vijnë duke ndihmuar sadopak në mënyrë konkrete për mbajtjen e “trurit” dhe pjesës më cilësore që kemi. Jam i bindur se nuk do të jetë thjesht një projekt që do të zgjasë për disa javë por do të kthehet në një dimension shumë të gjerë për vite dhe të gjithë që jemi këtu do të shihemi sërish kur të ketë marrë një dimension më të madh.”, u shpreh Gjana. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!