TIRANË- Në media u publikua një natë më parë, një video, në të cilën pretendohej një takim i “fshehtë” i kryer mes Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës. Por, ndryshe nga këto pretendime, Basha dhe Balla e kanë mohuar publikisht se mes tyre ka pasur një takim të tillë.
Komentatori Politik, Mero Baze, u shpreh për rubrikën “Tema e Ditës” se videoja në fjalë është montazh, dhe këtë e bazon tek biseda që ka pasur me ish-këshilltaren për shtyp të Lulzim Bashës, Desada Metaj. Referuar bisedës me Desada Metajn, Baze tregoi qëllimin e vizitën së Bashës tek pallati, në të cilin u aludua takimi i fshehtë me Ballën.
“Po për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, duhet të dëgjojmë personazhet që janë akuzuar. Të dyja personazhet e mohojnë të ketë pasur një takim Unë kam folur me të zonjës e shtëpisë, ku ka shkuar Lulzim Basha, është ish-këshilltarja e tij e shtypi Desada Metaj, e cila e pranon se është në makinë e saj dhe burri i saj e ka sjellë Bashën në shtëpinë për darkë, që ka qenë një praktikë normal, miqësi mes dy njerëzve që punonin bashkë, por nuk ka një takim mes tij dhe Taulant Ballës. Nuk ka ndodhur kjo gjë. Taulant Balla mund të këtë hyrë në atë pallat në kohë të ndryshëm, por gjithçka pretendohet se është një falsifikim apo si të thuash montazh, për të cilën janë shantazhuar prej disa muajsh. E gjithë ngjarja është se administratori i pallatit, i cili është mik i ngushtë i Agron Kuliçaj, njëri i afërt i Berishës, ka përdorur këto kamera dhe ka shkelur privacinë e një familjeje që ka miqësi me Bashën dhe që ka përdoru për qëllime politike dhe do ketë një proces penal në SPAK nga e dëmtuara”, tha ai.
Gazetari thotë se Sali Berisha me këtë akte po përpiqet të krijojë një alibi të re, se është prapë Lulzim Basha, ai i cili po e pengon të fitojë më 14 maj.
“Mesa duket të gjithë kemi menduar se Berisha po Lufton për të mundur Edi Ramën, por edhe gjatë këtyre muajve, është përpjekur të krijojë fakte se Basha është akoma gjallë dhe po e pengon të fitojë më 14 maj. Ky fakt, që ai i ka shantazhuar me këtë fakt, e ka pasur të nevojshëm shfaqjen e Bashës dhe krijimin e një alibie të re për 14 majin”, tha ai.
Ai thotë se pas përfundimit të zgjedhjeve nuk përjashtohet një përballje e re mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, një përplasje kjo, e cila sipas tij mund ta çojë Partinë Demokratike drejt asgjësimit të plotë.
“Kjo është një shenjë, që pas 14 majit, do ketë një rifillim të luftës mes PD zyrtare dhe grupeve. Me këtë që bëri, do të fillojë një beteje e re mes Berishës dhe grupimit dhe do ta dërrmojë, ndoshta deri një asgjësim Partinë Demokratike”, tha ai./n.m.abcnews.al