Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj rrëzoi mbrëmjen e sotme pretendimet e disa qeveritarëve se me grevën e kontrollorëve në Rinas u cenua siguria kombëtare. “Nuk mund të themi se siguria kombëtare rrezikohet nga tre persona. Jo!
Siguria kombëtare është e bazuar në shumë kolona, dhe sado të presësh njërën, le që kjo nuk është fare kolonë, nuk mund të pretendohet se u cenua siguria kombëtare, por u prodhuan pasoja për jetën e njerëzve”.
Lleshaj i cilësoi qesharake deklaratat e kontrollorëve që janë të pazëvendësueshëm. “Kam dëgjuar budallëqe, cfarë do të ndodhte, do të na rrëzohej avioni, a thua se këta drejtonin avionin. Avioni drejtohet nga pilotët. Dhe pilotët janë autonomë sa të mos bien pre e kësaj, se një sistem mund të bjerë….
Ky është profesioni im i parë, unë kam qenë oficer i radio-lokacionit, ky është profesioni im. Është mitizuar. Dëgjoja ata protagonistët e ngjarjes që me një lloj nënqeshje cinike thonin nuk ka kush na zëvendëson ne. Jo mo ka kush ju zëvendëson fare mirë” tha ai te “Java” në RTSH.
Lleshaj tha se Shqipëria “ka kontrollorë trafiku ushtarakë”. Por cili ishte mësimi që duhet të nxjerrim? “Si të reduktojmë riskun e varësisë nga profesione ekskluzive”. / db/ Abcnews.al