Bylisi u mposht sot nga Teuta me rezultatin 1-0. Ndeshja e luajtur në “Niko Dovana” nuk kaloi pa kontestime, pasi ekipi ballshiot pretendoi për një penallti dhe për disa raste të tjera të dyshimta. Pas mbylljes së takimit, faqja zyrtare e Bylisit ka kërcënuar me tërheqje nga gara, pasi sipas tyre, arbitrat e kanë bërë baltë.
“E panë të gjithë se çfarë ndodhi në ndeshjen me Tiranën, kur jemi mundur nga dy gola me dorë. Nuk reaguam, duke pritur që të merren masa, ndërkohë që sot në Durrës gjyqtari e bën baltë dhe kush e ka parë ndeshjen nuk na nevojë për shumë komente.
Tërë lojën jemi penalizuar. Një gol që na anulohet, shumë i dyshimtë pasi topi kalon vizën. Kartonë pa kriter kundër lojtarëve tanë, ndërsa nuk ndodh kështu me kundërshtarin dhe i vë “kapakun” një penallti që na anulohet!
Familja Kapllanaj investon prej 15 vitesh dhe si ka mundësi që nuk është marrë 1 pikë në Durrës, por është e njëjta histori në çdo ndeshje?!
Kjo është skandaloze dhe ne si klub, që deri më tani kemi qenë ekipi më simpatik i garës, kërkojmë që sa më shpejt nga organet kompetente të nxirren para përgjegjësisë fajtorët, në mënyrë që mos të na bëjnë edhe neve “pis” e të kalojmë në vetëgjyqësi.
Me sa duket në Shqipëri, ashtu si në çdo fushë tjetër, edhe në futboll u dashka që të funksionojë “Ligji i Xhunglës”. Këtë e bëjmë për transparencë për të gjithë ata që e duan futbollin e bukur dhe për mediat që kanë pasqyruar deri më tani ecurinë e bukur të skuadrës sonë, në mënyrë që nesër mos të jetë vonë!
Prandaj dhe për të mos rënë “pre” e këtij pisllëku, nëse nuk analizohen padrejtësitë që po na bëhen, ne që nga sot nuk do të jemi më pjesë e garës, në Kupën e Shqipërisë apo dhe në kampionat. Është e kotë dhe këtu s’mjafton as të investosh, e as të luash bukur duke i bërë nder garës…”, shkruhet në reagimin e Bylisit/abcnews.al