Presion kundër banorëve për lagjen e re në Tiranë, çfarë po ndodh te “5 Maji”?

schedule21:30 - 3 Nëntor, 2021

schedule 21:30 - 3 Nëntor, 2021

Prej disa ditësh një grup banorësh në lagjen “5 Maji” në Tiranë janë përplasur me punonjësit e IKMT-së që shkoi për të shembur banesat që preken nga plani i ri zhvillimor për zonën që u miratua në shtator nga Këshilli i Ministrave. Tensioni ka qenë i madh nga banorët, që kundërshtojnë me forcë ndërhyrjen.

Por cilat janë pretendimet e banorëve dhe cfarë thotë projekti?

Banorët që preken nga procesi i rikualifikimit urban të zonës deklarojnë se nuk kanë informacion dhe garanci se cfarë do të ndodhë me procesin e shpronësimit, dëmshpërblimin apo kompensimin për shembjen e shtëpive të tyre. Një pjesë tjetër kundërshtojnë vlerën e shpronësimit.

Në vendimin e miratuar nga qeveria theksohet se banorët që preken nga rikualifikimi urban i zonës do të strehohen në pallatet e reja që do të ndërtohen në këtë zonë, ku gjithashtu do të jenë pjesë edhe familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.

Shpronësimi?

Autoritetet vendore dhe qendrore kanë shpjeguar se shpronësimi do të bëhet me kompensim me shkëmbim. Kjo do të thotë që banorët do të përfitojnë në pallatet e reja që do të ndërtohen të njëjtën hapësirë që do të humbasin nga shembja e shtëpive që kanë aktualisht. Marrëveshja individuale parashikohet që të lidhet me bashkinë e Tiranës.

Pretendimet

Disa prej banorëve pretendojnë se nuk ka asnjë marrëveshje me bashkinë e Tiranës. “Bashkia e Tiranës po mashtron nuk ka arritur asnjë marrëveshje me banorët. Jemi drejtuar me ankesë për shpronësim të pa drejtë dhe nuk kemi marre asnjë përgjigje. Kemi kundërshtuar nga dita e marrjes njoftimit.

Nuk ka marrëveshje me asnjë nga ata banorë të njësisë nr. 8 të dalë nga Fletorja Zyrtare e fazës parë përveç dy familjeve që janë detyruar për të mos lënë vendet e punës në bashkinë e Tiranës. Asnjë familje nuk ka bërë kontratë” tha njëri nga banorët.

Çfarë ndodh tani?

Sipas autoriteteve lokale, vendimi ka përcaktuar se banorët që nuk kanë shtëpi tjetër ku të qëndrojnë deri në ndërtimin e pallateve të reja duhet të aplikojnë për bonus qiraje.

Gjithashtu bashkia Tiranë ka garantuar se do të marrin banesë jo vetëm banorët që i kanë në rregull dokumentet, por edhe ata në proces legalizimi.

Deri tani procesi ka mbetur në vend, pasi banorët nuk pranojnë shembjen e shtëpive, ndërsa IKMT është e vendosur për të vijuar procesin.

Çështja është politizuar, pasi në krah të banorëve janë shfaqur deputetë të PD-së duke sjellë akuza qeveria lokale dhe qendrore për nxitje të qytetarëve që preken nga projekti./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!