Tirana luan të premten derbin e parë të sezonit ndaj Partizanit. Dede nuk e ka gjetur ende fitoren e parë në krye të bardhebluve dhe do provojë ta bëjë këtë në derbin e kryeqytetit.
Së fundmi trajneri ka dhënë një intervistë për Panorama Sport dhe flet rreth ndeshjes të së premtes, por edhe mbi rikthimin e Ngoo, i cili gjatë kësaj jave pritet të vijë në Tiranë për të negociuar një bashkëpunim të ri me kampionët në fuqi.
RIKTHIMET – “Në këtë moment që jemi, kemi plotësime. Është rikthyer Toshevski. Ishte në pankinë me Kastriotin. Hoxhallari është rikthyer në maksimum.
I kemi në dispozicion të gjithë lojtarët që unë i gjeta këtu dhe besoj se ndeshja me Kastriotin ka dhënë një sinjal pozitiv, jo vetëm mua, por edhe lojtarëve e skuadrës. Ka qenë ndeshja më e mirë që kemi bërë bashkë dhe kjo më ngroh. Ajka e lojtarëve është aty. Presim vetëm Çelhakën.
DERBI – “Mbi të gjitha pres që njerëzit të kënaqen nga derbi. Të përcjellim “Fair Play”, siç e kemi bërë deri tani. Dua të kënaqim popullin bardheblu dhe që lojtarët të shijojnë ndeshjen. Po e shijuan ndeshjen, çdokush do ta ndiejë dhe do ta shijojë edhe më shumë sfidën nga televizori
NGOO – “Për situatën, sezoni që është në vazhdim dhe lojtarët që vijnë dhe plotësojnë skuadrën, lojtarë të tillë do t’i mirëprisja. Sa më shumë opsione të kesh, aq më mirë për tifozët dhe ekipin.
Më pas janë kokëçarjet e trajnerit, që duhet të vendosë se cili do të jetë ai që do të luajë apo meriton fanellën e titullarit apo kë sheh më të zotin në ndeshje të caktuara dhe situata të caktuara.
Ngo është kujtim i bukur për këtë skuadër, sepse ishte një nga ata që vendosi shumë për titullin kampion. Në këtë opinion dhe linjë do të jetë një rikthim shumë pozitiv për skuadrën dhe tifozët që të arrijmë objektivat”, shprehet Dede. /abcnews.al