Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka lajmëruar përmes një njoftimi në facebook se gjatë takimit me Papa Leonin XVI në Vatikan kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me shpresën që Selia e Shenjtë “do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”.
Takimi mes Osmani dhe Papës u zhvillua një ditë më parë. Gjatë qëndrimit në Vatikan e para e shtetit ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Selisë së Shenjtë.
“Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
Ajo e ka ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë.
Pavarësisht se Vatikani nuk e njeh Kosovën, dy vendet mbajnë raporte mes vete. Në janar të vitit 2024, Kosova ka hapur Misionin e Posaçëm në Vatikan. Ndërkaq, në maj të këtij viti, raportet u thelluan edhe më shumë me emërimin e Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën. / abcnews.al /

