Presidentja e Kosovës nuk dekreton kryeprokurorin e ri

schedule11:33 - 17 Tetor, 2023

schedule 11:33 - 17 Tetor, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri të ditur përmes një konference për shtyp se ka vendosur të mos e dekretojë kryeprokurorin e ri,  Blerim Isufaj. Gjatë fjalimit të saj, kryetarja e shtetit bëri me dije se ka gjetur disa shkelje që lidhen me kryeprokurorin Blerim Isufaj.

Presidentja kosovare tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Ajo shpjegoi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është në linjë me qëndrimet e shprehura nga organizatat joqeveritare, ambasadat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Komisioni Evropian.

“Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet”, shkroi ai.