“Presidentin e largon vetëm një grusht shteti”, qetësohen tifozët e Milanit

schedule13:43 - 6 Korrik, 2021

schedule 13:43 - 6 Korrik, 2021

Sandro Tonali do vazhdojë të jetë pjesë e Milanit, ndërsa agjenti i Franck Kessie gëzon tifozët e kuqezinjve me deklaratën e fundit. Mesfushori italian erdhi verën e kaluar në huazim nga Brescia dhe pas shumë tratativave me presidentin Cellino, më në fund është arritur akordi final.

GDS shkruan se 21-vjeçari i ka kushtuar nënkampionëve të Italisë në total 20 milion euro + 3 të tjera në formë bonusesh. 10 u paguan vitin e kaluar, teksa Milani duhet t’i japë Brescias edhe 7 milion të tjera, bashkë me kartonin e të riut Olzer (3 milion euro). 3 milion eurot e tjera janë si bonuse.

Një operacion fantastik për “Djallin”, që duhet të paguante 35 milion euro në bazë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar, teksa Tonali duhet të shfaqë gjithë potencialin e tij sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, drejtuesit e Milanit vazhdojnë punën në lidhje me rinovimin me Franck Kessie, i cili ka edhe një vit kontratë. Palët po negociojnë për zgjatjen e bashkëpunimit mes tyre, teksa shqetësim kanë krijuar sirenat nga Premier League, aty ku afrikani pëlqehet shumë.

Gjithsesi, agjenti i mesfushorit nga Bregu i Fildishtë, George Atangana qetëson popullin kuqezi me deklaratën e fundit, duke konfirmuar dëshirën e 24-vjeçarit për të vijuar të jetë pjesë e skuadrës së Piolit: “Vetëm një grusht shteti mund ta largojë ‘Presidentin’ nga Milani“. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!