Pothuajse në gjysmën e mandatit të tij katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump thotë se e sheh veten në mesin e presidentëve më të mirë amerikanë.
“Do t’i jepja vetes një A +,” tha Trump në një intervistë me Fox News Sunday. “A mund të shkoj më lart se kaq?”
Por presidenti Trump, në një intervistë të regjistruar në Shtëpinë e Bardhë, të premten dhe të transmetuar të dielën, pranoi një gabim në gjykim, duke thënë se duhet të kishte shkuar të hënën e kaluar në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të përkujtuar Ditën e Veteranëve duke nderuar ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura amerikane ose që shërbejnë aktualisht në një nga degët e saj ushtarake.
“Në retrospektivë, duhet të kisha shkuar,” i tha presidenti Trump intervistuesit Chris Wallace. Udhëheqësi amerikan, i cili ende nuk ka vizituar trupat në ndonjë zonë lufte jashtë vendit, tha gjithashtu, “Ka gjëra që po planifikohen, do ta bëj këtë.” Ai nuk pranoi të komentonte se kur mund të ndodhte një vizitë e tillë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Në zgjedhjet e 6 nëntorit për në kongres, demokratët e opozitës morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë në tetë vjet dhe fituan garat për guvernatorë në shtetet industriale që ishin të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016.
Por presidenti Trump nuk pranoi fajësinë për humbjet sepse emri i tij nuk ishte personalisht në fletëvotime, edhe pse ai tha në disa tubime politike përpara zgjedhjeve se votuesit duhet t’i vlerësonin zgjedhjet si një referendum për politikat dhe ecurinë e punës së tij gjatë 22 muajve të parë të presidencës.
“Fitova Senatin dhe kjo është historike,” tha Trumpi. “Kjo është një fitore e madhe.” Partia republikane e presidentit Trump mund të shtojë dy vende në bllokun e tanishëm 51-49 të shumicës në Senat, kur të vendosen dy gara të kontestuara./Zëri i Amerikës