Presidenti Trump: Janë testuar mbi 1 milion amerikanë për COVID-19

schedule07:27 - 31 Mars, 2020

schedule 07:27 - 31 Mars, 2020

Presidenti Donald Trump ka theksuar se deri më tani në Shtetet e Bashkuara janë kryer teste për koronavirusin tek një milion amerikanë. Presidenti e bëri deklaratën në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi vazhdon të rritet me shpejtësi dhe e ka kaluar shifrën 2800, me mbi 153 mijë të testuar pozitivë.

Ritmet e testimit janë shumë të rëndësishme për strategjinë e identifikimit, izolimit dhe kurimit të pacientëve me koronavirus në mënyrë që të vihet nën kontroll epidemia.

Gjithashtu presidenti amerikan ka shtyrë afatin e masave deri më 30 prill të afatit të masave kundër përhapjes së sëmundjes. Ekspertët shpresojnë se deri më 30 prill me shtimin e ritmit të testimeve, të mund të identifikojnë dhe izolojnë individë të infektuar dhe përmes masave të distancimit social të pengojnë transferimin e virusit tek persona të tjerë.

“Sot arritëm një moment historik në luftën tonë kundër koronavirusit. Më shumë se 1 milion amerikanë janë testuar, më shumë se çdo vend tjetër deri tani. Askush nuk mund të krahasohet,” tha presidenti në koferencën e përditshme për shtyp në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti foli për masat që po ndërmerr qeveria federale, duke mobilizuar institucionet federale, përfshirë edhe ushtrinë në mbështetje të shteteve të goditura më rëndë. Javën e kaluar presidenti kishte shprehur shpresën që të rihapë një pjesë të aktivitetit ekonomik deri në mes të prillit. Por në konferencën për shtyp të së hënës, presidenti tha se “ekonomia është përparësia e tij numër dy” dhe se vëmendja e tij kryesore është siguria dhe jeta e amerikanëve, ndërkohë që specialistët parashikojnë 100 mijë dhe ndoshta më shumë të vdekur nga epidemia./abcnews.al