Presidenti serb Vuçiç apel BE: Mos ushtroni më presion mbi ne

schedule13:40 - 12 Prill, 2019

schedule 13:40 - 12 Prill, 2019

Përpara mijëra mbështetësve të tij në Novi Sad, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të mos i bënte më presion Beogradit. Ai theksoi disa herë se deri në momentin që Prishtina nuk heq taksën ndaj produkteve serbe, nuk do të ketë dialog, pavarësisht presioneve.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i ka dhënë një mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar duke i kërkuar që të ndalojë presionin. Në një takim me mbështetësit e tij në Novi Sad, Kreu i Shtetit serb u shpreh se nuk do të ndryshonte qëndrim në lidhje me Kosovën. Ai theksoi se në momentin që Prishtina do të heqë taksën prej 100 për qind, Beogradi do të ishte i pari që do të ulej sërish në tryezën e dialogut.

“Mos iu drejtoni më Serbisë, mos e kërkoni më. Hiqni taksën dhe ne do të vimë vetë,” u shpreh Vuçiç para mijërave mbështetësish.

Ai shtoi se Prishtina po sillet në mënyrë arrogante, dhe mendonte se mund të dobësojë Serbinë me vendimet e fundit. Por Vuçiç tha se fakti që Serbia sillet mirë dhe kërkon dialog nuk nënkupton se ajo është dobët. Pasi vendi, sipas tij aktualisht është më i fortë se 20 vjet më parë

Ai shtoi se ata që e nënvlerësojnë Serbinë apo synojnë ta gjunjëzojnë duhet të kenë shumë kujdes.

Më shumë se njëherë Vuçiç përsëriti se asnjë lloj presioni nuk do të funksionojë dhe deri në momentin që Prishtina nuk heq taksën, cdo përpjekje e komunitetit ndërkombëtar për të ulur Beogradin në tryezë është e kotë; thjesht humbje kohe. /abcnews.al