Deputeti demokrat Ervin Salianji, duke folur për mediat nga Kryesia e Kuvendit sa i përket çështjes së zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, tha se po bëhen tentativa për të përdorur deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së.
Sipas Salianjit, ata që po tentojnë të “keqpërdorin” deputetët e Grupit Parlamentar janë “të dorëhequr që nuk po dorëhiqen,” duke nënkuptuar kështu ish-kryetarin Lulzim Basha.
“Jam i qartë, që ka një keqpërdorim nga dikush të Grupit Parlamentar dhe një tentativë për t’i përdorur deputetët Grupit.”
Deputetit demokrat tha se më shumë po nxitohet për t’u ulur me Ramën për ta diskutuar çështjen e Presidentit, sesa po kryen tentativa për ta shqyrtuar çështjen mes demokratëve.
“S’ka tagër zëdhënësi për të ftuar. Siç komunikova dje do të bëj të qartë se është tentativë për të pronësuar grupin dhe për të ndarë në dysh PD-në. Dje, kam komunikuar me Rithemelimin dhe Alibeajn që të ketë një takim të përbashkët. Po kërkohet mbledhje me axhitim për të takuar Ramën, sot u tha qartë që nuk duan asnjë emër presidenti konsensual, është kurth. Kam komunikuar me Boçin, i cili ka kërkuar që mbledhja të shtyhet, nuk i është përgjigjur Alibeaj. Qëndrimi i sotëm është personal, nuk përcakton grupin. Ka një axhitim, jo përpjekje për të ulur dhe për të ndarë PD-në. Ka 3 muaj që nuk funksionon grupi dhe gjithçka merret me interes të një personi. Po e ritheksoj se Kryesia mblidhet çdo javë dhe përcakton qëndrimet parlamentare, e jo më për një çështje si presidenti. Kryesia e grupit parlamentar, fakti që po them që kam folur me Alibeajn, kjo tregon që nuk ka diskutim që e njoh apo jo. Jemi në një shpjegim të pashpjegueshëm. Ça shpjegimi ka për të shkuar ku? Ka njerëz që dorëhiqen dhe por nuk heqin dorë. A do shkoj të hënën në mbledhje? Nuk ka tagër zëdhënësja e grupit për të caktuar. Nuk flet dot në emër të grupit pa marrë qëndrim grupi. Nuk ka mbledhje kur nuk ka kuorum. Ftesën e të përjashtuarve është bërë pa dijeninë e grupit. Nëse i ka bërë këto veprime, tani le t’i dalë për zot. Për t’u ulur me Ramën ka nxitim, për t’u ulur me njëri-tjetrin, akoma jo?”
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, Oriola Pampuri në cilësinë e zëdhënëses së grupit parlamentar të PD-së ka përcaktuar agjendën e grupit të përkrahësve të Enkelejd Alibeajt. Pampuri njoftoi se agjenda është përcaktuar ditën e sotme në një mbledhje të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Sipas saj, Kryesia e Grupit të PD-së do të mblidhet rregullisht çdo javë, ditën e premte, ora 09:15 ndërsa kujtoi se të hënën do të jetë mbledhja jashtë radhe. /abcnews.al/


