Pasi dekretoi Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti rihapi garën për “Vakancën e parakohshme” e krijuar dorëheqja e ish-gjyqtarit Besnik Imeraj. Ky është vendi i dytë vakant nga 3 që duhet të plotësohen nga Institucioni i Presidencës.
Edhe dy emra i kanë mbetur presidentit Ilir Meta për të propozuar si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Të parin e dekretoi,ndonëse nuk ka kaluar ende procesin e rivlerësimit në të tri shkallët e Vettingut.
Pas Besnik Mucit, kreu i shtetit ka rishpallur listën për plotësimin e Vakancës së Përkohshme që ka krijuar dorëheqja e ish gjyqtarit Besnik Imeraj. 6 janë gjyqtarët që kërkojnë vendin e ish kolegut të tyre: Dedë Kasneci, Envi Hicka, Prelë Martini, Shaqir Hasanaj,Vasil Bendo,Vjosa Bodo Mujo.
“Lista e aplikantëve të mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar prej tyre do t’i përcillet menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me qëllim që ky organ të revokojë/shfuqizojë Vendimin nr.137, datë 21.09.2019 të pezullimit të procedurës së verifikimit, si dhe vijimin e procesit për verifikimin dhe vlerësimin e të gjitha kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant, sipas ligjit.”
Procedura e verifikimit të kandidatëve u pezullua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pas skualifikimit nga gara të Zhaklina Peto duke mbetur në garë vetëm dy kandidatë nga tre që ishte minimumi i lejuar.
Gjykata Kushtetuese ka pushuar së funksionuar prej afro dy vitesh pas dorëheqjeve dhe shkarkimeve të gjyqtarëve nga procesi i Vettingut. Aktualisht nga 9 anëtarë vetëm dy janë në Gjykatën Kushtetuese, Vitore Tusha me mandat të përfunduar dhe Besnik Muçi që vazhdon ende betejën e Vettingut./ABC News Albania