Presidenti Meta vizitë zyrtare në Maqedoni

schedule16:15 - 20 Nëntor, 2017

schedule 16:15 - 20 Nëntor, 2017

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoni. Në takimet me homologun Ivanov dhe kryeparlamentarin Xhaferri, Meta vlerësoi shqiptarët e Maqedonisë si faktor stabiliteti në këtë vend.

U prit me nderime shtetërore në Shkup.
Në vizitën e tij të parë në Maqedoni si president i Shqipërisë, Ilir Meta u prit nga homologu i tij Gjorge Ivanov.
Të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve.
Në takimin dypalësh, Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore mes dy vendeve dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti Meta i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve. Ai shprehu besimin se, mbledhja e ardhshme e dy Qeverive në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, presidenti Meta u takua edhe me Kryetarin e Asamblesë, zotin Talat Xhaferi.
Presidenti Meta inkurajoi Kryeparlamentarin Xhaferi për të qenë më kontribuues për bashkëjetesën politike dhe ndër-etnike në Maqedoni.
Të dy ndanë të njëjtin mendim se faktori shqiptar në Maqedoni është një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti dhe i orientuar qartë nga BE dhe NATO.
Presidenti Meta shprehu besimin se shumë shpejt Parlamenti i Maqedonisë do të miratojë edhe ligjin mbi përdorimin e gjuhës shqipe.
Kreu i shtetit shqiptare vlerësoi momentin e rëndësishëm, ku ndodhet Maqedonia dhe rishprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!