Në një bisedë me gazetaren Juli Xhokaxhi mbrëmjen e sotme në “Byro Politike”, Presidenti i Republikës Ilir Meta dha disa detaje nga Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që u zhvillua pasditen e sotme.
Presidenti Meta u shpreh se në mbledhje u diskutuan çështjet e masave të marra nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me përballimin e situatës me të prekurit nga koronavirusi.
Meta deklaroi se Ministria e Shëndetësisë do të rrisë numrin e testimeve në vazhdim dhe se situata ka ardhur duke u përmirësuar në krahasim me atë të para 3 javëve.
Presidenti Meta deklaroi gjithashtu se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është diskutuar edhe për paketën ekonomike e cila do të ketë në vazhdim zgjerim për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që janë dëmtuar nga situata e pandemisë.
Diskutim ka patur edhe në lidhje me arsimin në Shqipëri, ku sipas Presidentit është thënë që ky vit duhet të mbyllet patjetër.
Pjesë nga biseda:
Juli Xhokaxhi: Në këtë situatë, pyetja e parë lidhet me shëndetin, si jeni me shëndet?
Presidenti Meta: Jam shumë mirë, e rëndësishme është të vazhdojmë këtë punë të nisur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Juli Xhokaxhi: Në mënyrën se si po menaxhohet mbrojtja e qytetarëve shqiptarë, cilat janë pakënaqësitë dhe kënaqësitë tuaja?
Presidenti Meta: Situata paraqitet qëndrueshme, çdo lloj vlerësimi është relativ pasi çdo lloj bilanci nuk është një kënaqësi për shkak se kemi jetë të humbura të qytetarëve tanë njëkohësisht kemi jetë shoqërore të ngadalësuar e të bllokuar. Pra kjo situatë nuk është një kënaqësi por ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që situata mund të ishte më i trishtuar dhe më tragjik nëse nuk do ishin marrë një kompleks masash dhe nëse nuk do të ishin ndërgjegjësuar qytetarët. I ftoj shqiptarët që të vazhdojnë të respektojnë me durim dhe të tregohemi të kujdesshëm ndaj situatës. Pra të kemi kujdes nga padurimi dhe shkujdesja. Në këtë drejtim, ne zhvilluam sot një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, për mundësinë dhe perspektivën e daljes sa më shpejt, nga kjo situatë me shumë kufizime të karakterit ekonomik, social, dhe shoqëror. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe kam besim se ky bashkëpunim dhe ndërgjegjesim do të bej që ta kalojmë shumë shpejt këtë situatë.
Juli Xhokaxhi: Dimë që Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk bëhen publike pasi konsiderohen “sekret shtetëror”, por do doja tju pyesja se çfarë ndryshoi nga mbledhja e kaluar, dhe a u a pati konkluzione apo vendime konkrete për disa nga çështjet që diskutohen sot që lidhen në aspektin ekonomik por edhe tek ndryshimet që pritet të ndodhin nesër në Parlamentin shqiptar për ndëshkimet e qytetarëve shqiptarë që nuk respektojnë masat?
Presidenti Meta: Mbledhja e sotme ishte vazhdimësi e mbledhjes së mëparshme dhe një vlerësim në disa aspekte, një vlerësim të pandemisë, situata paraqitet e qëndrueshme dhe nuk ka mbingarkesë në spitalet tona të qytetarëve të shtruar nga koronavirusi. Po kështu janë marrë masat dhe tashmë është një infrastrukturë shumë më e mirë për përballimin e situatës aktuale. Njëkohësisht mendoj se pavarësisht nga disa diferenca se numri i testimeve është rritur dhe do të vijojë të rritet akoma më tej, jo si një qëllim në vetvete por si një domosdoshmëri që përmes testimit, gjurmimit të realizojmë izolimin dhe të kurojmë sa më shpejt vendin nga çdo vatër kontaminimin nga ky virus. Dhe sigurisht në këtë drejtim situata paraqitet pozitive ku një falënderim i veçantë i shkon gjithë personelit mjekësor.
Juli Xhokaxhi: A morët shifra konkrete për kapacitetin e testeve?
Presidenti Meta:Po kemi marrë shifra konkrete, në veçanti nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me infrastrukturën në rritje të të gjitha mjeteve, që nga testimet, që nga strukturat për të përballuar terapinë intensive, mjetet mbrojtëse dhe çdo gjë tjetër. Situata ka një përmirësim në krahasim me 3 javë më përpara. Së dyti në lidhje me paketën ekonomike do të ketë një ndërhyrje të dytë për të dhënë një mbështetje ekonomike për qytetarët që janë prekur nga situata e kësaj pandemie. Për sa i takon çështjes së arsimit, sot ishte një mbledhje e një rëndësie të veçantë dhe kemi thënë se ky vit shkollor duhet të mbyllet patjetër./abcnews.al