Ikja në drejtime të kundërta të mazhoracës dhe opozitës pa mundur të gjejnë një pikë takimi është një situatë që nuk duhet të ekzistonte pas 22 vitesh që kur Shqipëria u nda me vitin 1997.
Është ky qëndrimi i presidentit Ilir Meta që nuk e anashkalon as thirrjen për ti vënë gishtin kokës dy liderët kundërshtarë.
“Të gjithë duhet t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa tërësisht egoiste dhe okulte Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim. Dhe As shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sisteme përjashtuese që në vitin ’90”.
Kryeministrin Rama e njofton që të mos i varë të gjitha shpresat e zgjidhjes së kësaj situate nga tryezat që mund të thërrasë presidenti.
“Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më tepër tek Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kenë në rast se e çojnë vendin drejt konfrontimit”.
Këto përgjigje i dha presidenti Meta interesimit të gazetarëve pasi mori pjesë në Konferencën e tretë Kombëtare të Industrisë së bimëve mjekësore aromatike./ABC News Albania 24/7