Presidenti Meta priti kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s

schedule13:10 - 23 Korrik, 2019

schedule 13:10 - 23 Korrik, 2019

Presidenti i Republikës  Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Marshall Sir Stuart Peach.

Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Komiteti Ushtarak i NATO-s për projektin e Bazës Ajrore të Kuçovës, duke garantuar se bashkëpunimi me Aleancën ka një rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Presidenti Meta siguroi se Shqipëria do të vijojë kontributet e saj në misionet në Afganistan, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Rumani, Mesdhe, etj.

Duke e vlerësuar si legjitime kërkesën e NATO-s për të ndarjen e drejtë të barrës së përgjegjësive, Kreu i Shtetit theksoi se i ka kërkuar Qeverisë, t’u përmbahet angazhimeve zyrtare të Shqipërisë, duke rritur vit pas viti buxhetin deri në 2% të GDP në vitin 2024.

“Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndryshojë rrugëtimin këtij projekti strategjik. Do punoj pa u lodhur për një Shqipëri të qëndrueshme, demokratike dhe anëtare të denjë të NATO-s, që siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg gjatë vizitës së Tij në Tiranë, ka në zemër demokracinë”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjithashtu, Presidenti Meta, nënvizoi se roli dhe prezenca e NATO-s në rajon është faktor kyç për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e Tij ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës, për integrimin në NATO dhe ngritjen e Forcave të Armatosura si “kontribut shtesë për sigurinë dhe stabilitetin  afatgjatë të rajonit”./abcnews.al