Kreu i shtetit Ilir Meta është bërë pjesë e pelegrinazhit në malin e Tomorrit të besimtarëve bektashinj, në nderim të figurës së Abaz Aliut, i cili shenjtëroi këtë mal duke ngritur tyrbe ku njerëzit falen e luten për më shumë mirësi e begati.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në pelegrinazhin në malin e Tomorrit, ku përshëndeti festën bektashiane të Abaz Aliut.
“Bektashizmi që si devizë të tij ka pasur gjithmonë “Pa atdhe nuk ka fé” është në radhë të parë një përkushtim ndaj atdheut, ndaj kombit, është një shërbim për bashkëjetesën, për tolerancën, për bashkëpunimin në shërbim të një çështjeje më të madhe e që na bashkon të gjithëve. Ndaj ne jemi sot këtu për t’u përkulur me respektin më të thellë për të gjithë veprën që ka realizuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në Shqipëri, pavarësisht nga sfidat e shumta”.
Kreu i shtetit Meta, i cili i përket këtij besimi fetar, shprehu kënaqësinë që i jep pjesëmarrja e gjerë në këtë pelegrinazh, në adhurim të figurës së Abaz Aliut.
“Të misionarit, i cili u dogj, u sakrifikua për të ndriçuar njerëzimin dhe për të ngritur në qiell vetitë dhe vlerat më të mira njerëzore, për të cilat kemi nevojë sot aq shumë”.
Vetëm përmes vlerave njerësore dhe shoqërore, ky popull mund të projektojë të ardhmen e tij në këto vise të mrekullueshme, përfundoi presidenti Ilir Meta./abcnews.al