Shumë shpejt, Skrapari do të jetë një destinacion i rëndësishëm turistik në rajon. Kështu mendon Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili mori pjesë në çeljen e sezonit turistik në Skrapar.
Me rafting në kanionet e lumit Osum. Valle e panair me prodhime bio të zonës. Kështu u çel sezoni turistik në Skrapar, ku i pranishëm ishte Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Dua të theksoj besimin se Skrapari shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin, sepse vende të tjera investojnë për të krijuar mjedise artificiale për ‘rafting’, kurse ne i kemi unikale dhe të papërsëritshme edhe në krahasim me vendet më të njohura e më të mëdha.”
Turizmi dhe zhvillimi i bujqësisë të ndërlidhura me njëri-tjetrin, sipas Presidentit të Republikës janë një mundësi e mirë për të gjitha familjet në këtë zonë.
“Është e vështirë të gjesh dhoma në Skrapar për të sjellë miq e të ftuar, dhe kjo është një gjë pozitive ashtu sikurse është edhe një sfidë, sepse rritja e turizmit dhe e vizitorëve kërkon edhe rritjen e kapaciteteve akomoduese. Kërkon edhe përmirësimin e infrastrukturës, por kërkon edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe në mënyrë të veçantë, kërkon edhe ruajtjen e traditave të zonës, të karakteristikave të saj më specifike, të cilat do t’u lënë mbresë vizitorëve vendas apo të huaj.”
Çelja e sezonit turistik në Skrapar përkoi edhe me ditën e Evropës dhe Presidenti i Republikës përsëriti qëndrimin e tij për integrimin Europian të vendit.
“Me këtë rast besoj se jemi në një moment pozitiv, i cili me punë dhe me më shumë përqendrim mund të finalizohet me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian gjatë muajit qershor dhe po të punojmë edhe mëmirë të gjithë së bashku do të jemi edhe më të përqendruar te sfidat, me të cilat ndeshet vendi dhe familjet shqiptare. Jam i sigurt se ky vendim mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i tillë duhet të jetë.”/abcnews.al