Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador kritikoi ligjin e Teksasit që iu jep autoriteteve shtetërore të zbatimit të ligjit fuqinë për të arrestuar personat e dyshuar për kalimin e paligjshëm të kufirit SHBA-Meksikë, duke shtuar se Meksika nuk do të pranojë emigrantët e deportuar nga autoritetet e Teksasit.
“Më lejoni ta them këtë njëherë e përgjithmonë: ne nuk do të pranojmë dëbime nga qeveria e Teksasit”, tha Lopez Obrador në një konferencë për shtyp, sipas Reuters. Ai shtoi se ligji i Teksasit është një “ligj drakonian” që Meksika e kundërshton.
“Është krejtësisht në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Është çnjerëzor, antikristian, i padrejtë dhe shkel normat e bashkëjetesës njerëzore. Shkel jo vetëm ligjin ndërkombëtar, por edhe Biblën”, tha presidenti meksikan./abcnews.al