Presidenti Macron: Aleatët evropianë nuk janë të bashkuar për dislokimin e trupave në Ukrainë

schedule10:55 - 28 Mars, 2025

schedule 10:55 - 28 Mars, 2025

Udhëheqësit nga afro 30 vende dhe shefat e NATO-s dhe BE-së u takuan në kryeqytetin francez për të diskutuar forcimin e ndihmës për Kievin dhe vendosjen e trupave evropiane për të siguruar paqen afatgjatë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi planin për të dërguar forca sigurie nga disa vende evropiane me bazë në lokacione të caktuara strategjike, në Ukrainë në rast të një traktati paqeje me Rusinë.

“Këto forca do të vepronin si një pengesë kundër agresionit të mundshëm rus”, u tha ai gazetarëve gjatë një konference për shtyp pas samitit të lartë të “Koalicionit të të gatshmëve” për Ukrainën dje në Paris.

Megjithatë, këto forca sigurie nuk kanë për qëllim të jenë forca paqeruajtëse pasi ato nuk do të zëvendësojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe nuk do të pozicionohen në vijën e frontit, por në “qytetet strategjike” dhe bazat.

“Ky propozim do të shqyrtohet nga shefat tanë të shtabit ushtarak në javët e ardhshme për të përcaktuar “hartën dhe formatin” e këtyre dislokimeve”, tha ai.

“Këto forca sigurie në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojnë apo zvogëlojnë përpjekjet tona në krahun lindor të NATO-s, por do të shërbejnë si shtesë”, shtoi Macron.

“Jo një vendim unanim”.

Udhëheqësi francez tha se jo çdo vend në samit u pajtua me këtë plan. “Nuk është unanim, por ne nuk kemi nevojë për unanimitet për ta arritur atë”, tha Macron.

Çështja e dërgimit të trupave në Ukrainë ka krijuar përçarje të forta midis aleatëve të BE-së dhe NATO-s.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se Italia nuk do të merrte pjesë në këtë plan, ndërsa homologu i saj, polak Donald Tusk tha muajin e kaluar se Polonia nuk kishte planifikuar të dërgonte ushtarë polakë në territorin e Ukrainës.

Ndërsa Macron shprehu dëshirën e tij për mbështetjen e SHBA-së në rastin e dislokimit të trupave evropiane, ai theksoi gjithashtu nevojën për t’u përgatitur për një skenar ku Evropa duhej të bëhej e pavarur.

Udhëheqësi francez njoftoi gjithashtu dërgimin e një “skuadre franko-britanike në Ukrainë” për të përgatitur formatin e ushtrisë së nesërme ukrainase – për të analizuar se çfarë lloj pajisjesh do t’i nevojiteshin Kievit për të penguar çdo sulm të mëtejshëm rus.

Duke i bërë jehonë deklaratave të tij të së mërkurës mbrëma, presidenti francez përsëriti se ishte shumë herët për të hequr sanksionet ndaj Rusisë.

Njoftimi vjen pasi SHBA-ja tha të martën se do të niste heqjen e disa sanksioneve ndaj Moskës, veçanërisht në tregtinë bujqësore.

Qëllimi i samitit ishte të hidhte bazat për garancitë afatgjata të sigurisë dhe ta kthente ushtrinë ukrainase në vijën e parë të mbrojtjes kundër çdo agresioni të ardhshëm në mes të kërcënimit në rritje nga Rusia.

Takimi në Paris erdhi në mes të përpjekjeve të intensifikuara për të ndërmjetësuar një armëpushim, të nxitur nga presioni i presidentit amerikan, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, tashmë në vitin e saj të katërt.

Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja për të mbrojtur anijet në Detin e Zi dhe për të ndaluar goditjet në infrastrukturën energjetike u përshëndetën si hapi i parë drejt paqes. Megjithatë, si Moska ashtu edhe Kievi nuk janë pajtuar për detaje dhe kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

Pavarësisht marrëveshjes, konflikti vazhdon. Mediat ukrainase raportuan të enjten se dhjetëra njerëz ishin plagosur dhe një person u vra gjatë ditës së fundit nga sulmet ruse.

Zelensky tha se sulmet ishin dëshmi e mëtejshme se SHBA-ja dhe Evropa nuk duhej të lehtësonin sanksionet ndaj Moskës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!